Meta: Do shfuqizojnë ligjin e skafeve
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi një takim të zgjeruar me qindra qytetarë vlonjatë, të rinj, të reja dhe përfaqësues të moshës së tretë të qytetit të Vlorës. Duke folur para të pranishmëve, Meta u premtoi atyre se me fitoren e 28 qershorit, LSI do të shfuqizojë ligjin e moratoriumit për skafet, duke e cilësuar atë si ligj diskriminues. “Jam i bindur se një nga vendimet e para të maxhorancës sonë fituese, pasi të nxjerrim në pension të përhershëm politik Sali Berishën në 28 qershor do të jetë heqja e një vendimi diskriminues për vlonjatët, për durrsakët, sarandjotët dhe për të gjithë shqiptarët, që është ai i kufizimit të mjeteve të lundrimit vetëm për shqiptarët. Ky është një vendim jo vetëm diskriminues dhe i padrejtë, jo vetëm tregues i dështimit për të luftuar realisht trafikun, por njëkohësisht është një hipokrizi e gjallë, sepse ky gjoja do të luftonte trafikun në det, e bëri trafikun në mes të Tiranës dhe Durrësit me armët dhe municionet dhe mori dhjetëra jetë. Si mund të ketë zhvillim të turizmit me diskriminime?”, tha Meta. Kreu i LSI-së i njohu të pranishmit dhe me rëndësinë që ka edhe për Vlorën rruga Durrës-Kukës që vetë ai dhe grupi i deputetëve vizituan pak ditë më parë. “Ajo që dua të them sot këtu në Vlorë është, se pavarësisht nga progresi i rrugës Durrës-Kukës, pavarësisht se ka tetë vjet dhe rruga e bregut ka ecur ashtu me të shtyrë dhe me të çaluar qeveri pas qeverie, do të jetë përgjegjësia, nderi dhe privilegji ynë të përfundojë edhe rrugën e Kosovës edhe rrugën e bregdetit”, tha Meta.