E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shpall gjendjen e fatkeqesisë natyrore në zonat e bllokuara nga bora

TIRANË- Kryeminisitri i vendit Sali Berisha, duke shprehur shqetësim për shkak të gjendjes emergjente që paraqitet në zonat verilindore dhe juglindore të vendit shpalli gjendjen e fatkeqesisë në zonat e bllokuara

“Shpall gjendjen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore në Shkodër, Kukës, Dibër, Korcë dhe rrethin e Librazhdit. Por, çdo lokalitet do e ndihmojmë, por këto janë më problematiket”,- deklaroi Berisha.

“Bora me mbi 2.5 metër lartësi përbën një problem real të lëvizjes, furnizimit me ushqime, ndaj dhe duke shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këto zona nënkupton ndërmarrjen e përgjegjësive për hapjen e rrugëve në të gjitha komunat e izoluara si kusht i të gjitha kushteve për shpëtimin e banorëve të kërcënuar. Problem janë orteqet por edhe catitë, ndaj në emer të qeverisë duke shprehur solidaritetin më të madh banorëve me zona me probleme të mëdha, ju bëj thirrje në mënyrë të programuar se dp bëjnë gjithcka për të parandaluar çdo kërcënim dhe humbje jete, duke shmangur rreziqet më eminente. Dhe një nga rreziqet janë shembja e cative nga sasitë e mëdha të dëborës,- shpalli kryeministri Berisha.

Kryeministri gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen jashtë radhe të qeverisë për shkak të situatës së krijuar në vend, deklaroi se qeveria po përballon me sukses agresivitetin e motit.

“E mblodha qeverinë për shkak të gjendjes së krijuar. Nga dje deri më sot ortoqet kanë bllokuar rrugë kombëtare, si Bajram Curri -Fierzë, Krumë-Kukës dhe rrugë të tjera, për të cilat ministri do informojë.Qeveria mendoj se ngriti në kohë komitetin dhe e trajtoi problemin në të njëjtin standard të një emergjence civile. Gjatë javës që kaloi ka patur angazhim total të qeverie vendore, këshilla së kryepleqve në qarqe. Një angazhim total të komiteti të emergjencave civile të kryesuar nga ministri Nishani, të forcave të armatosura të ministrisë së Shëndetësisë, pra situata me gjithë agresivitetin e saj është përballuar”- deklaroi Berisha.

Shefi i qeverisë bëri thirrje për dhënien e fondeve për çdo komunë për hapjen e akseve rrugore të bllokuara.
“Fonde për çdo komunë që do kontraktojnë mjete për hapjen e rrugëve”,- nënvizoi Berisha.

Kryeministri Berisha akuzoi kreun e opozitës Edi Rama se po tenton të përfitojë nga fatkeqësia natyrore që ka mbërthyer vendin.
“Ata që nga strofulla e tyre fërkojnë duart dhe gëzojnë duke vjellë vrer nga mëngjesi deri në darkë me shpresën që mund të qëmtojnë vota mbi mundimin dhe sakrificën e qytetarëve shqiptarë e krijuar nja një situatë natyrore e paparë, 45 vjetët e fundit dëshmojnë se jetojnë në shpellën e primitivizmint të tyre”,- u shpreh Berisha.

MINISTRI NISHANI: STRUKTURA NË GATISHMËRI
Ministri Nishani paraqiti masat që ka marrë ministria nga data 7 shkurt me ngritjen e Shtabit të Emergjencave për përballimin e reshjeve të dëborës në qarqet e prekura nga bora dhe ngritjen e shtabeve të prefekturave. Ndër masat kryesore, Nishani renditi miratimin e planit konkret për përballimin e situatës, ku prioritet mbetet dhënia e asistencës profesionale për emergjencat shëndetësore.

"Për këtë qëllim, ministria e Shëndetësisë ka pasur në dispozicion ekipin e helikoperëve të saj me të cilët janë organizuar rreth 38 fluturime në Tropojë, Has, Kukës, Malësi e Madhe ku janë shpëtuar jetë të disa fëmijëve dhe disa nënave në lindje", tha ministri Nishani.

Ai përmendi rolin që po luajnë në dhënien e ndihmës së shpejtë nga ministria e Mbrojtjes me angazhimin e ekipeve të regjimentit të Farkës në ofrimin e emergjencës me ushqime në disa fshtra të Kukësit, Peshkopisë dhe në lëvizjen e akseve kryesore nacionale. Nishani tha se në ndihmë të zonave të mbuluara nga bora që ka arritur në lartësi të mëdha, Drejtoria e Rrugëve ka vënë 46 borëpastruese duke mbajtur hapur akset nacionale dhe në tërësi edhe ato rurale në komunat më të thella. Në ministrinë e Brendshme situata po mbahet nën monitorim dhe kontaktet po menaxhohen nga salla e Emergjencës civile me shërbim 24 orë, me linja telefonike në komunikim direkt me shtabet e prefekturave si dhe direkt me komunat.

MINISTRI VASILI: SKA PASUR MUNGESË MEDIKAMENTE
Ministri i Shendetësisë, Petrit Vasili prezantoi në mbledhjen e Qeverisë sot në mbrëmje masat për përballimin e çdo situate në mbrojtje të jetës së banorëve në zonat e thella malore të prekura nga bora e ditëve të fundit.
"Nuk ka asnjë rast vdekje për shkaqe shëndetësore, kemi transportuar barnat e nevojshme, personeli po qëndron non stop me shërbimin shendetësor, ndërsa kemi ngritur shtabet shëndetësore për zonat e prekura", tha Vasili. Ai paraqiti punën që po bëhet në çdo prefekturë të prekur nga vështirësitë e borës, ku shtabet e shërbimit shendetësor po punojnë për të siguruar ndihmë në kohë minimale dhe pa vonesë. Ministria e Shëndetësisë ka pasur në dispozicion ekipin e helikoperëve të saj me të cilët janë organizuar rreth 38 fluturime në Tropojë, Has, Kukës, Malësi e Madhe ku janë shpëtuar jetë të disa fëmijëve dhe disa nënave në lindje.
"Në zonat e prekura, në funksion të plotë janë personelet shendetësore, ndërsa kemi aplikuar ndihmën ambulatore shtëpi më shtëpi. Situata po ndiqet online nga të gjitha strukturat e shëndetësisë", tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

OLLDASHI: AKSET PA PROBLEME
Ministri i Transportit dhe Rrugëve Sokol Olladashi bëri një pasqyrë të akseve rrugore në vend deri në orën 19:00. “Fieri pa probleme, Skrapari pa probleme, në akset Gjirokastër, Tepelene-Përmet pa probleme. Me probleme rruga në Korcë, ku duhen zinxhirë. Rruga e Boboshticës.
Kukës gjendja e vështirë për shkak të reshjeve të borës pa ndërprerje, Kukës Qafë-Shllak me probleme....”-deklaroi Olldashi.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›