E Hënë, 2 Nëntor 2026

Borchardt: Ju mbështesim për vizat, por zgjidhni krizën

Ambasadori gjerman, i pakënaqur nga situata në Parlament

“Bashkimi Europian, në verën e këtij viti, do t’u propozojë vendeve anëtare liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë- Hercegovinën”, deklaroi Borchardt në një simpozium të zhvilluar dy ditë më parë në qytetin e Vlorës, i organizuar nga Forumi i Vlorës për Dialog Internacional. Ambasadori gjerman në vendin tonë, në fjalës e mbajtur në Universitetin e Vlorës, theksoi se mbështetja e Gjermanisë në këtë proces nuk do të mungonte, por palët politike duhet të zgjidhin krizën politike në vend. “Nëse nuk zgjidhet kriza, rrezikohet integrimi i vendit”, theksoi ai. Ambasadori Borchardt theksoi se BE nuk ishte e kënaqur me ecurinë e deritanishme të Parlamentit shqiptar. “Ne inkurajojmë me ndihmën tonë zgjidhje të situatës, gjithçka tjetër që ndikon në ngadalësimin e procesit, si të integrimit të Shqipërisë drejt Europës ashtu dhe në liberalizimin e vizave me vendet e bllokut” u shpreh Borchardt. Sipas tij, Gjermania po e mbështet intensivisht Shqipërinë edhe për sa i përket liberalizimit të vizave, përkrah çështjeve financiare me projektet që kapin një vlerë prej 1 milion eurosh. Po kështu ambasadori gjerman në Tiranë vlerësoi se, në Shqipëri konstatohet progres në fushën ekonomike dhe atë administrative. Ambasadori bëri gjithashtu një vlerësim të procesit të marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, duke nënvizuar se prej vitit 1988, vendi i tij ka akorduar 900 milionë euro ndihmë për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të Shqipërisë. Sipas tij, prej vjeshtës së vitit 2008, kur u shtuan përpjekjet e Shqipërisë për integrimin evropian, kjo ndihmë llogaritet në 130 milionë euro, ose me një intensitet 3 herë më të lartë krahasuar me periudhën tjetër 20-vjeçare. “Ne jemi fokusuar me projekte në fushën e furnizimit me energji elektrike me ujë të pijshëm dhe kanalizime në 10 qytete të vendit”, theksoi zoti Bernd Borchardt. Ai shtoi se “mendoj se më shumë se kaq, ne nuk mund të kryejmë mbështetjen tonë ndaj Shqipërisë”.

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, i pranishëm në simpoziumin “Europa ndërmjet meje dhe teje”, Gjermani-Shqipëri, organizuar nga Fate Velaj dhe rektorati i universitetit “Ismail Qemali” i Vlorës, referoi edhe për probleme të tjera të strukturës dhe të funksionimit të Bashkimit Europian, duke u ndalur në kriteret e Kopenhagës për zgjerimin e BE-së, apo në Traktatin e Lisbonës që hyri në fuqi një muaj më parë, ndërkohë që u dha përgjigje pyetjeve të të pranishmëve, qytetarë, intelektualë vlonjatë, studentë etj. Ai premtoi se, krahas mbështetjes që jep Gjermania për akordimin e bursave për studentët Shqiptarë, në verën e këtij viti, do të ofrohen në Gjermani, praktika dhe vende pune sezonale për shumë studentë. Simpoziumi “Europa ndërmjet meje dhe teje”, pason atë që u zhvillua pak javë më parë, në këtë universitet, ku ishte i pranishëm kryetari i delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmuth Lohan.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›