E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti, deputetët e PS-së, vetëm me 85% të pagës

Socialistët pritet të penalizohen për mospjesëmarrjen në seanca

Deputetët socialistë tashmë pritet të paguhen vetëm me 85% të pagës së tyre fillestare, pa përfituar asnjë nga shtesat materiale që jua garanton statusi i tyre si deputetë. Ndonëse grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka thyer dy javë më parë edhe bojkotin e Kuvendit, kjo nuk do t’i japë atyre të drejtën të përfitojnë në fund të muajit një pagë të njëjtë me kolegët e tyre të mazhorancës. Sipas ligjit “Për statusin e deputetit”, i cili parashikon edhe trajtimin financiar të deputetëve, ligjvënësit shqiptarë për shërbimet e tyre përfitojnë një pagë mujore bruto prej 152.000 lekësh të reja, e cila në terma neto përkthehet 122.000 lekë në muaj. Por ndonëse pas rihyrjes në Kuvend, 64 deputetët e selisë rozë do të arrijnë ta marrin këtë pagë teorikisht, bojkoti parlamentar, i cili është deklaruar se do të vazhdojë nga ana e tyre, do t’ia reduktojë këtë pagë me 16.000 lekë të reja në muaj. Kjo sepse në ligjin “Për statusin e deputetëve” parashikohet që në rast se një deputet nuk arrin të justifikojë mungesën e tij në një seancë plenare, atij i mbahet 4.000 lekë të reja për çdo seancë. Duke përllogaritur që në një muaj, Parlamenti shqiptar zhvillon katër seanca plenare, konkludon se deputetëve të selisë rozë do t’ju mbahet shuma 16.000 lekë në muaj, në rast të vazhdimit të bojkotit parlamentar. Por nga ana tjetër, si pasojë e këtij bojkoti, deputetët e grupit parlamentar të PS-së nuk do të përfitojnë edhe pagesën shtesë prej 2.000 lekësh të reja për çdo mbledhje komisioni parlamentar. Mosmarrja e kësaj pjese shtesë së pagës së tyre pritet të rëndojë edhe më shumë në ata deputetë socialistë, të cilët janë përcaktuar si anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, i cili zhvillon pothuajse çdo ditë të javës mbledhje. Po kështu pritet që drejtoria e Financës pranë Kuvendit, të mos u lejojë deputetëve të selisë rozë edhe pagesat ekstra, si ajo për telefonin, për udhëtimin, për dietat dhe udhëtimet për shkak të detyrës si deputet. Për gjashtë muaj me radhë, 64 deputetët socialistë nuk arritën të merrnin pagat e tyre mujore, si pasojë e mosbesimit në Parlament për ushtrimin e detyrës së tyre. Me marrjen e vendimit nga Kuvendi i Shqipërisë për të mos paguar me asnjë lloj pjese të pagës socialistët gjatë bojkotit të tyre parlamentar, nuk munguan edhe ankesat nga selia rozë. Protesta e socialistëve për këtë çështje u bë edhe më e fortë, pas vendimit të marrë nga Kryeministri Berisha për t’u hequr deputetëve të drejtën për të pasur makina personale dhe shoferë, në kuadër të kryerjes së veprimtarisë së tyre. Në këtë kohë, deputetët e PS-së, Erjon Braçe dhe Alfred Dalipi, theksuan se ky veprim erdhi në mënyrë të qëllimtë nga mazhoranca, për të penalizuar deputetët socialistë. Sipas tyre, për gjashtë muaj Kuvendi nuk u mundësoi as logjistikën e duhur për të zhvilluar detyrën e deputetit të dhënë me votat e qytetarëve shqiptarë. Pavarësisht këtyre pakënaqësive, Kuvendi vendosi të miratonte me votat e deputetëve të mazhorancës mendimet ligjore, të cilat parashikonin edhe heqjen e makinave për deputetët e të gjitha kaheve politike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›