Borchardt: "Viti 2008-të shumë i mirë për marrëdhëniet gjermano-shqiptare"
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt në një intervistë për Radion Deutsche Welle, i ka vlerësuar marrëdhëniet bilaterale mes Gjermanisë dhe Shqipërisë si të shkëlqyera."Viti 2008, ka qenë një vit shumë i mirë për marrëdhëniet gjermano-shqiptare. Në radhë të parë dua të përmend takimet e nivelit të lartë midis krerëve tanë politikë: kryeministri Berisha vizitoi Berlinin në tetor të këtij viti me ftesë të kancelares gjermane Merkel, presidenti i Bundestag-ut Gjerman dr. Lammert ishte në Shqipëri për disa ditë në maj të këtij viti. Të dy vizitorët theksuan: marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera", ka thënë Borchardt.Ai po ashtu ka potencuar se, Gjermania do të vazhdojë të mbështesë reformat në Shqipëri. "Kjo u konfirmua edhe në tetor 2008 me vendimin e rëndësishëm të qeverisë federale të Gjermanisë: ne i dyfishuam fondet për bashkëpunimin dypalësh për zhvillim. Këtë vit Gjermania ka vënë në dispozicion të Shqipërisë mbi 90 milionë EUR për projekte të përbashkëta zhvillimi", ka shtuar ai.Projekte veçanërisht të rëndësishme janë ndërtimi i një linje të tensionit të lartë për në Kosovë dhe rehabilitimi i rrjetit të furnizimit me energji elektrike në Jug të Shqipërisë. Borchardt po ashtu ka shtuar se Shqipëria mund të ketë besim në mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë dhe partnerëve të tjerë të saj në BE.