Më 1 Korrik, pensionet për arsimtarët rriten 5-8 për qind
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përcaktuar kohët e fundit kushtet që duhet të përmbushin arsimtarët për të ligjëruar të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë. Ekspertët e pensioneve, kanë detajuar tre kushtet kryesore që duhet
të plotësojnë mësuesit dhe pedagogët për të dalë në pension brenda datës 30 qershor të vitit 2010. Sipas specialistëve të ISSH-së me përafërsi një mësues në pension pas 1 Korrikut do të mund të përfitojë një pension të plotë pleqërie i cili me rritjen prej 5-8 për qind të shumës mbi vlerën reale të pensionit aktual llogaritet në masën 220 mijë lekë të vjetra. Pension ky të cilin do ta përfitojnë të gjithë mësuesit e ciklit të ulët. Ndërsa përsa i përket arsimtarëve që kanë grada shkencore e personave që kanë ushtruar profesionin e pedagogëve apo të specialistëve në organet shtetërore arsimore kjo kategori do të përfitojë një pension i cili së bashku me përfitimet e veçanta do të shkojë në shumën prej 250 mijë lekësh të vjetra. Përpos kësaj kjo kategori nëse ka grada shkencore e është laureuar me titullin profesor Doktor shkencash do të përfitojë në mënyrë direkt pension të veçantë i cili shkon në shumën prej 280 mijë lekësh të vjetra. Kjo është një mesatare e llogaritur nga specialistët të cilët në këtë fazë janë duke rishikuar për të gjitha kategoritë dokumentacionin përkatës, duke bërë kështu dallimin se kush përfiton pension për herë të parë nga të gjitha kategoritë e arsimtarëve që do të dalin për herë të parë në pension. 1 Korriku datë e cila është përcaktuar si një alternative për fillimin e shpërndarjes së pensioneve për të gjitha kategoritë, do të jetë edhe data fillestare që do startojë në të gjitha pikat e shpërndarjes së pensioneve paratë për të gjithë personat në pension.
Kriteret
Duke filluar nga data 1 korrik 2009 deri më 30 qershor të vitit 2010 mosha e daljes në pension për femrat dhe meshkujt që punojnë në arsim është rritur me 6 muaj. Për rrjedhojë, mësueset femra do të dalin në pension në moshën 58 vjeçe, kurse mësuesit meshkuj në moshën 63 vjeç. Për të marrë pension të plotë pas datës 1 korrik, arsimtarët e të dyja gjinive duhet të kenë plot 35 vite pune të siguruara, nga të cilat, 26 vjet e 3 muaj duhet të jenë patjetër si mësues. Në çdo datë l korrik mosha e daljes në pension për arsimtarët, do të shtohet me 6 muaj, deri sa duke filluar nga data 1 korrik e vitit 2013 e në vazhdim mësueset femra do të dalin në pension të plotë 60 vjeçe dhe meshkujt 65 vjeç, kur kanë 35 vjet punë gjithsej të siguruara pavarësisht se ku kanë punuar.
Vitet e punës
Në vite pune të siguruara gjithsej për pension, mësueseve femra u njihet edhe koha e vazhdimit të shkollës së lartë ditën, e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar me ose pa bursë duke e konsideruar një vit shkollë me një vit pune për efekte pensioni, ndërsa meshkujve u konsiderohet punë koha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak e vërtetuar me librezën ushtarake. Gjithashtu, përfshihen në kohë pune për pension si mësues edhe lejet e zakonshme dhe lejet e lindjes për femrat. Në rastet kur mësuesit dalin në pension gjatë vitit shkollor, për shembull më 30 prill, përfitojnë me pagesë lejen e zakonshme, që u takon sipas Kodit të Punës për periudhën janar-prill. Ditën që ndërpresin marrëdhëniet financiare për shkak të daljes në pension, mësuesve pavarësisht nga gjinia, u jepet një rrogë mujore shtesë, konform Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.369, datë 13.6.2007 Për fondin e veçantë në institucionet buxhetore.
Llogaritja
Llogaritja e pensioneve sipas Ligjit të Sigurimeve Shoqërore, bëhet me 75 për qind të pagës neto mesatare mujore të tre vjetëve rresht në 10 vitet e fundit të punës. Këtë periudhë 3-vjeçare, paga e së cilës merret si bazë në llogaritjen e pensioneve e zgjedhin vetë të interesuarit gjatë së cilës kanë pasur pagën më të mirë. Për pension merret parasysh rroga bazë mbështetur në tabelën e pagave të miratuar nga Këshilli i Ministrave,shtesat e marra për vjetërsi në punë, vështirësi, largësi, funksion, gradë shkencore, etj. Por, në llogaritjen e pensionit nuk merret parasysh paga e 13-të që kanë marrë mësuesit, mbasi për pagën e mësipërme, nuk janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Paga e secilit vit, përpara llogaritjes së pensionit nga punonjësit e sigurimeve shoqërore, rritet me koeficientet përkatës të caktuara nga Këshilli i Ministrave. Nuk merren parasysh në llogaritjen e pagave për pension të ardhurat financiare që mund të ketë marrë personi, si shpërblimet e ndryshme, përfitimet nga lotaritë, honorarët, dietat në lekë ose në valutë për kohën e shërbimeve brenda e jashtë vendit, sepse për to nuk janë paguar kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
Punët që përfshihen në arsim për pension, kategoritë që përfitojnë më 1 Korrik
Në punët në arsim për pension, përfshihen periudhat e punuara si
1- Edukatore në kopshtet e fëmijëve, si në fshat ashtu edhe në qytet
2- Mësuese dhe mësues në shkollat e ciklit të ulët, 7, 8 e 9-vjeçare, të mesme
3- Drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave dhe të konvikteve, kur kanë dhënë mësim në klasa
4- Pedagogë në universitete e shkolla të larta pavarësisht nëse kanë ose jo grada shkencore
5- Koha e punuar në detyrën e drejtorit, inspektorit dhe ndihmësit për arsimin në
6- Inspektorët në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, përgjegjësve e drejtorive
7- Inspektorëve të seksioneve dhe drejtorive të arsimit në rrethe, trajnerëve profesionistë
8- Të gjitha kategorive të klubeve sportive, drejtorët, instruktorët, shefat e seksioneve në pallatin e pionierëve, shtëpitë e pionierëve, udhëheqësit e pionierëve në shkolla,etj.
Dokumentet që duhet të dorëzojnë arsimtarët për të dalë në pension
1- Dokumentet që duhen përgatitur për të dalë në pension
2- Libreza e punës e plotësuar deri ditën e fundit, që është paguar me rrogë
3- Libreza ushtarake për meshkujt që kanë kryer shërbimin e
detyrueshëm ushtarak
4- Certifikatë personale me fotografi dhe certifikatë e gjendjes familjare
5- Vërtetim i pagës nga 1 janari i vitit 1994, deri ditën e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare. Këto janë vërtetime standarde dhe punonjësit e financës janë të specializuar për plotësimin e tyre
6- Kopja e noterizuar e diplomës të shkollës së lartë ditën për femrat
7- Kërkesa për pension, që është një formular i gatshëm që merret në qendrën e fundit të punës, ku shënohet edhe adresa e banimit, numri i telefonit, etj.
Kushtet për të përfituar pension deri më 30 qershor 2010
Nga data 1 korrik 2009 deri më 30 qershor 2010, mosha e daljes në pension për mësuesit femra dhe meshkuj shtohet edhe 6 muaj. Sipas kushteve të reja, arsimtarët do të dalin në pension brenda harkut të mësipërm kohor nëse plotësojnë kushtet e mëposhtme: Femrat Meshkuj, Mosha 58 vjeçe 63 vjeç, Vite pune të siguruara 35 vjet 35 vjet. Nga këto mësues 26 vjet e 3 muaj 26 vjet e 3 muaj.
Arta AGOLLI
Last Updated on E Shtune, 29 Maj 2010 21:25