E Diel, 1 Nëntor 2026

Bordi, Kuvendi hap dritën jeshile për 23 kandidatë te Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit

21/07/2010 Komisioni i Ligjeve miraton emrat e anëtarëve që do të studiojnë krimet e komunizmit

Kritere të veçanta, 6 të paverifikuar. Kuvendo do ti votojë në mënyrë të fshehtë

Komisioni parlamentar i Ligjeve dha pëlqimin për 23 kandidatët e paraqitur pranë tij për anëtarë të bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri. Kandidatët plotësojnë kërkesat e ligjit dhe nga institucionet përkatëse është marrë i gjithë informacioni i duhur për kandidatët. Mes tyre seanca me votim të fshehtë, sipas renditjes dhe rekomandimeve të bëra nga vetë shoqatat propozues, do të zgjedhë vetëm shtatë emra. “Ne në këtë komision do të bëjmë verifikimin e përputhshmërisë ligjore të kandidaturave. Përzgjedhja e kandidaturave është e vështirë, pasi janë të vlefshme për tu zgjedhur në këtë bord. Secila kandidaturë përveç përvojës profesionale ka dhe një eksperiencë jetësore personale, që është një vlerë e shtuar që i vjen këtij bordi. Ata kanë përjetuar mbi kurrizin e tyre edhe vuajtjet dhe krimet e komunizmit. Kandidatët plotësojnë kërkesat e ligjit dhe nga institucionet përkatëse është marrë i gjithë informacioni i duhur për ta”, - theksoi në fjalën e saj relatorja e çështjes, deputetja e PD-së Arenca Trashani. Ajo e vlerësoi të rëndësishme ngritjen pas 20 vjetësh demokraci të një instituti i tillë, i cili do të mundohet të hedhë dritë mbi krimet dhe pasojat e komunizmit 50-vjeçar në Shqipëri. “Ngritja e këtij instituti është detyrim moral në radhë të parë dhe më pas kërkesë e organizmave ndërkombëtarë. Instituti ka karakter kërkimor, publik, i pavarur që ka si qëllim grumbullimin, administrimin dhe ruajtjen në arkivin e institutit dhe publikimin e dokumenteve e të materialeve që dëshmojnë krimet e komunizmit në Shqipëri”,- sqaroi ajo.

Verifikimi i kandidatëve

Por pavarësisht përkrahjes që deputetët u dhanë kandidatëve si emra që i plotësonin kushtet e veçanta të ligjit, deputetja Trashani konfirmoi se 6 prej tyre nuk janë verifikuar nëse kanë qenë ose jo bashkëpunëtorë të shtetit në kohën e komunizmit. E nxitur nga pyetja e deputetes së Partisë Socialiste Vasilika Hysi, ajo tha se këta janë kandidatët e Konferencës së Rektorëve. “Unë personalisht kam marrë konfirmimin nga institutet apo shoqatat e të përndjekurve që kanë bërë propozimet se janë marrë dhe janë shtjelluar me imtësi të gjitha në lidhje me kërkesën tuaj. Vetëm nga Konferenca e Rektorëve nuk kam pasur. Kanë ardhur thjesht kandidaturat. Këto ne i kemi gjykuar, janë munduar të bëjmë një përzgjedhje nga të gjitha universitetet, qoftë publike, qoftë private, nga Tirana apo të rretheve, por nuk kam marrë ndonjë konfirmim nëse është kaluar në skanerin që ju kërkoni”, - deklaroi Trashani.

Kriteret e veçanta

Ligji “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri” në nenin 18 të tij përcakton kritere të veçanta për nëpunësit e Institutit. Aty përcaktohet se ata duhet të jenë persona që gëzojnë besueshmëri. Për qëllimet e këtij ligji i besueshëm është çdo person që ka mbushur moshën madhore përpara datës 8 dhjetor 1990 dhe nuk ka qenë: anëtar ose kandidat i PKSH-së a PPSH-së; i shkolluar ose nuk ka bërë kualifikime në shkollat e larta politike të sigurimit ose mbrojtjes të Shqipërisë a të vendeve të Traktatit të Varshavës; funksionar i sistemit komunist, pjesëtar i organeve të diktaturës komuniste apo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit; anëtar ose bashkëpunëtor i shërbimeve inteligjente të vendeve të Traktatit të Varshavës. Plotësimi i kërkesave të parashikuara më sipër verifikohen përmes dokumenteve të lëshuara nga organet/institucionet që parashikon ligji.

Përbërja e bordit

Bordi i Institutit është organi më i lartë drejtues. Ai përbëhet nga 7 anëtarë, të cilët emërohen dhe lirohen nga Kuvendi në bazë të një liste kandidatësh të propozuar nga: Instituti i Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë (3 anëtarë); shoqëria civile (1); Akademia e Shkencave (1); Konferenca e Rektorëve (2). Për çdo vend për anëtar bordi propozohen 3 kandidatë. Anëtarët e bordit duhet të jenë personalitete të njohura nga komuniteti akademik dhe shoqëria civile, të cilët zotërojnë aftësi profesionale dhe kanë dhënë kontribut, që krijojnë bindje se mund të mbështesin institutin në realizimin e misionit e të detyrave të tij. Gjithashtu anëtarët duhet të plotësojnë të gjitha kushtet që parashikojnë aktet ligjore dhe nënligjore për nëpunësit e lartë të shërbimit civil, si dhe kushtet e përcaktuara në nenin 18 të këtij ligji. Ata zgjidhen për 5 vjet me të drejtë rizgjedhjeje një herë. Mandati i tyre është i papajtueshëm me funksione të larta shtetërore, kushtetuese, politike, administrative si dhe me anëtarësinë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë si dhe me anëtarësinë në parti dhe lëvizje politike.

Buxheti

Pas diskutimit maratonë nga Parlamenti të ndryshimeve të buxhetit të këtij viti, edhe Komisioni i Ligjeve do të zhvillojë sot një seancë maratonë për diskutimin nen për nen të tyre. “Seanca dëgjimore nis me Ministrinë e Drejtësisë dhe me të gjitha institucionet e thirrura nga komisioni. Pjesa e parë mund të përfundojë më 13:00. Në pjesën e dytë do të zhvillojmë diskutimin nen për nen të projektit”, - tha kryetari Rusmali.

Ftesa

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula, anëtar i Komisionit të Ligjeve, në përfundim të mbledhjes së djeshme ftoi për një drekë të gjithë anëtarët e Komisionit ku ai bën pjesë. “Nesër është mbledhja e fundit. Shumë miqësisht i ftoj edhe kolegët e opozitës që, meqenëse është mbyllja e sesionit të dytë të legjislaturës, të hamë një drekë së bashku si komision”, - tha Sula në fund të mbledhjes së djeshme.

Kandidatët

Shoqata antikomuniste “2 Prilli”

Sabri Bushati, inxhinier

Shoqata antikomuniste e ish-të përndjekurve politikë demokratë

Nebil Cika, gazetar

Arben Ndoci, jurist

Mallëngjim Skënderaj, jurist

Sokol Miraka, 1991-2002 sekretar shteti për fenë katolike.

Akademia e Shkencave

Kolec Topalli, akademik

Beqir Meta, akademik

Emin Riza, akademik i asociuar

Instituti i Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë

Propozimet për kandidat të parë

Uran Butka, publicist

Luan Buzhiqi, jurist

Nikolin Vata, avokat

Propozimet për kandidat të dytë

Pjetër Pepa, mjek

Arben Ndoci, jurist

Vilhelme Vranari, shrimtare

Propozimet për kandidat të tretë

Gjergj Marku, akademik politik

Çelo Hoxha, gazetar

Gëzim Peshkëpia, publicist

Konferenca e Rektorëve

Valentina Duka, Universiteti i Tiranës

Nevila Xhindi, Universiteti Evropian i Tiranës

Romeo Gurakuqi, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër

Alfred Lako, Universiteti Politeknik i Tiranës

Bektash Mema, Universiteti i Gjirokastrës

Eni Çobani, Universiteti “Wisdom University”

Synohet përfshirja e informacionit në programet mësimore të shkollave

Detyrat e Institutit nga studimi, evidenti deri publikimi i krimeve

Autorizimi për përdorimin e të dhëna personale, duke garantuar privatësinë

Instituti ka karakter kërkimor, ka si qëllim grumbullimin, administrimin e ruajtjen në arkivin e institutit dhe publikimin e dokumenteve e të materialeve që dëshmojnë krimet e komunizmit në Shqipëri. Në nenin 5 të ligjit përcaktohet një listë e gjatë detyrash e paraqitur në mënyrë të detajuar. Në këtë mënyrë, Instituti fillimisht studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist; analizon dhe dokumenton krimet e kryera gjatë dhe pas periudhës së komunizmit; identifikon aktet ligjore sekrete dhe josekrete, të përgatitura apo të miratuara nga të gjitha institucionet e aparatit të sistemit komunist; studion veprimtarinë kriminale të Partisë Komuniste, Partisë së Punës; analizon shkaqet e vendosjes së regjimit komunist, dokumentet që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë a të huaj që mbështetën ardhjen e këtij regjimi si dhe të atyre që bënë rezistencë kundër tij; grumbullon të dhëna për ndriçimin e veprimtarisë strukturave të Sigurimit së Shtetit; evidenton personat që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse; vë në dijeni publikun; sistemon dhe boton kujtimet e të dënuarve politikë, të atyre që u burgosën, që u persekutuan në kampet e internimit; publikon dhe përhap materiale të shkruara, si dhe organizon ekspozita, seminare, konferenca e diskutime për krimet e komunizmit dhe pasojat e tij në Shqipëri; si dhe me institucione të tjera për shkëmbimin e informacionit dhe me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve të informacionit të mjaftueshëm për krimet e komunizmit dhe të pasojave të tij në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›