E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, digjen 5 autobote me solar dhe një cisternë

21/07/2010 Tmerr dhe panik tek banorët

FIER- Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në ndërmarrjen e prodhimit të serës pranë fabrikës së tullave mesditën e së martës zjarri që ka shpërthyer rreth orës 12.35 min të ditës së martë në depozitat e solarit të kompanisë private “Çilotaj’ grup ka djegur 5 autobote me solar dhe 1cisternë me kapacitet 50.000 litra, e cila nuk ishte e mbushur plotësisht. Sipas shefit të repartit të zjarrfikëses, Avdyl Kamberaj, rreth 11 mjete zjarrfikëse nga Fieri, Lushnja e Mallakastra, si dhe të kompanisë “Albpetrol” sha dhe “Armo” sh.a, kanë luftuar me flakët për të shpëtuar 3 depozitat e tjera që ndodhen aty pranë. “Deri tani gjendja e flakëve po mbahet nën kontroll dhe tre depozitat e tjera janë izoluar”, tha Kamberaj. Kompania “Çilotaj”grup, operon në fushën e ndërtimit. Ajo ka një aktivitet të gjerë:përpunon solarin për shtrim rrugësh, ofron hekur, profile të ndryshme metalike, bën zgara magazine, ofron materiale ndërtimi me shumicë, pije dhe të tjera mallra industriale. Administrator i përgjithshëm i kompanisë është Lad Çilotaj. Qendra e kompanisë është e instaluar ngjitur me autostradën Fier-Lushnjë, në kilometrin e tretë. Depozitat e hidrokarbureve janë montuar rreth 1,5 km larg rrugës kryesore, në periferi të fshatit Mbrostar të rrethit Fier. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e rënies së zjarrit, ndërkohë që pohon se momentalisht shkaqet janë të pazbardhura. Kordonët e policisë, por dhe postblloqet e vendosur nga kompania “Çilotaj” grup, e bënë të pamundur marrjen e detajeve më të hollësishme. Mes flakëve dhe tymit, banorët me mjete rrethanore i janë afruar vendit të ngjarjes në përpjekje për të ndaluar përhapjen e flakëve. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Ndërkohë këto godina ndodhen në lagjen “Sheq i madh” vetëm dy km larg qendër së qytetit ët Fierit. Por fatmirësisht pranë këtyre depozitave nuk ka asnjë banesë, çka e bëri edhe më të lehët punën e policisë dhe të forcave zjarrfikëse për të ndërhyrë në shuarjen e flakëve. Të dhënat e para sipas banorëve flasin për një shkëndijë apo defekt elektrik, por po hetohet, dhe nuk përjashtohen edhe të tjera pista. Ndërkohë që sapo të qetësohet situata do të hetohet edhe ana dokumentare edhe siguria teknike e firmës që merret me administrimin. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›