Autorët e vrasjes së trefishtë: Morëm hakun për vrasjen e gjyshit
Vrasja e gjyshit të autorëve kishte ndodhur 13 vjet më parë, kur gjykata e Burrelit e kishte nxjerrë Shaqir Barçin të pafajshëm
BURREL Tre të rinjtë e arrestuar për vrasjen e trefishtë dhe plagosjen e dyfishtë kanë deklaruar për policinë pa iu dridhur qerpiku se krimin e kanë kryer në shenjë hakmarrje për vrasjen e gjyshit të tyre në verën e vitit 1998. Dashamir, Valter dhe Durim Barçi, përkatësisht 35, 27 dhe 22 vjeç, lindur e banues në fshatin Frankth të komunës Komsi, pas dorëzimit në polici kanë deklaruar se janë ata autorët e krimit të rëndë dhe se atë e kanë kryer në shenjë hakmarrje për vrasjen e gjyshit, duke ia faturuar atë Shaqir Barçit, kryefamiljarit të vrarë që humbi gruan, djalin e madh, baba të dy fëmijëve dhe ku mbetën të plagosur dy djemtë e vegjël.
Motivet
Fillimisht policia lokale njoftoi se ngjarja kishte të bënte me një konflikt për ujin e pijshëm, mirëpo edhe në deklaratën e fundit drejtoria rajonale shprehet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa burime pranë prokurorisë thonë se nuk kemi të bëjmë me vrasje për çështje pronësie, por hakmarrje. Zyrtarë të prokurorisë së Matit nuk ngurrojnë të ngrenë gishtin mbi gjyqtarët e Burrelit, duke u shprehur se ata kanë bërë gabim që i kanë dhënë pafajësi për Shaqir Barçin në vitin 1998. “Viktima dhe dy të rinj janë arrestuar atë vit për vrasjen e Islam Barçit, gjyshit të tre autorëve të arrestuar për ngjarjen e fundit. Pas 9 muajsh Shaqiri doli i pafajshëm, megjithëse të gjitha provat e fajësonin atë, ndërkohë dy adoleshentë vuajtën nga tetë vjet burg” - sqaruan prokurorë të Matit. Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje, madje këtë e pohojnë edhe vetë autorët e arrestuar.
Ngjarja
Policia lokale dhe autorët e krimit janë shprehur se ka qenë Shaqir Barçi ai që ka qëlluar i pari mbi kushërinjtë e tij, ndërkohë të afërmit e viktimave thanë për “Mapo”-n se fillimisht palët në konflikt janë përleshur mes tyre. Burime zyrtare pranë policisë thanë se Shaqir Barçi ka qëlluar i pari mbi vëllezërit Barçi dhe këta të fundit i janë përgjigjur me të njëjtën monedhë. “Fugonit të vëllezërve Barçi u del përpara Shaqiri dhe u kërkon ta ndalin atë. Ata nuk e ndalin makinën dhe ai i fyen rëndë. Kur mjeti ndalet, afro 150 metra larg shtëpisë së Shaqirit dhe 100 metra larg shtëpisë së tyre, palët janë përfshirë në përleshje fizike mes tyre. Shaqiri ka qëlluar i pari, por njëri nga vëllezërit që ndodhej në një parcelë me misër ka qëlluar me automatik duke e vrarë atë. Pastaj në vendin e ngjarjes ka mbërritur Hamideja. Ajo ka rrëmbyer kallashin dhe ka tentuar të gjuajë mbi vëllezërit Barçi. Por edhe ajo është qëlluar dhe ka mbetur e vdekur në vend. I treti është qëlluar Ylberi, djali i madh i Shaqirit. Edhe ai ka humbur jetën në moment, pasi ka patur disa plagë në trup. Dy djemtë e tjerë, Gazmiri dhe Haliti janë qëlluar më në largësi dhe vetëm janë plagosur” - tregojnë efektivë të policisë.
PAJTIM HASA