E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bordi i FMN miraton lëvrimin e parave të ndihmës për Greqinë

UASHINGTON - Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar i tha "po" lirimit të këstit të gjashtë të kredisë në Greqi, për pjesën e tij të financimit, 2.2 miliardë euro.

Miratimi i fondit të FMN nga bordi, ishte i domosdoshëm për disbursimin e plotë të këstit të gjashtë, prej 8 miliardë euro.

Të martën e fundit Eurogroup ra dakort për disbursimin e pjesës së ndihmës së Bashkimit Evropian, pas letrave të garancisë, dërguar nga Kryeministri Papadhimos dhe krerët politikë grekë Papandreu, Samaras dhe Karaxhaferis.

"Ne përfunduam rishikimin e pestë të progresit të programit grek të masave. Vlerësimi lejon lirimin e menjëhershëm të shumës së 2.2 miliardë Euro, vë në dukje deklarata e Bordit te FMN pas mbledhjes së sotme.

Me pjesën e tij të 2.2 miliardë Euro, kontributi i përgjithshëm i Fondit për të mbështetur shumat e kredisë deri më tani, arrin në pothuajse 20 300 000 000 Euro.

Ekipi i FMN do të jetë në Greqi në datat 12-16 dhjetor për bisedime me qeverinë greke me qëllim zbatimin e vendimeve të Samitit Evropian të 26/27 tetorit.

"Fondet do të jenë në dispozicion në mes të dhjetorit," ka thënë më herët kreu i Eurogrup Jean-Claude Juncker.

Lirimi i këstit të gjashtë ishte objektivi i parë i qeverisë së përkohshme të Lukas Papadhimos. Tani pritet fillimi i punës për sigurimin e kredisë së re të ndihmës për Greqinë, që duhet të paraprihet nga miratimi i buxhetit 2012 dhe zbatimi i vendimeve të samitit të 26 Tetorit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›