E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, 55 000 biznese do mbyllen në 2012 për shkak të krizës

ATHINE - Gjithnjë e më e rëndë bëhet situata e bizneseve në Greqi dhe më i zymtë parashikimi për ecurinë e tyre në kushtet e krizës ekonomike që po përjeton ky vend.

Sipas një studimi të kryer nga Konfederata Kombëtare e Tregtisë, 55 000 biznese të vogla pritet të mbyllen gjatë vitit 2012, vit që do karakterizohet gjithashtu nga rënia e shitjeve dhe të ardhurave.

Në raportin vjetor mbi tregtinë greke gjatë vitit 2011, kishte edhe të dhëna të tjera pesimiste.

Studimi vëren se nga viti 2009 deri në 2011, iu është vënë dryni 60 000 bizneseve, për shkak të krizës që erdhi gjithnjë e në rritje.

Tetë nga dhjetë biznese thonë se kanë humbur shitjet, ndërsa katër në pesë biznese kanë raportuar përkeqësim në përfitimin e tyre.

Presidenti i konfederatës Vasilis Korkidis e përshkruan situatën në tregun grek, tepër kritike edhe për bizneset që mbijetojnë, të cilat kanë vështirësi të mëdha në shlyerjen e detyrimeve dhe mund të shkojnë drejt mbylljes, gjë që përkthehet në rritje të mëtejshme të papunësisë në vend.

Një në tre biznese thotë se do të "ngrijë" investimet në vitin 2012, ndërkohë që pesimizmi mbizotëron në aspektin e punësimit, pasi vetëm pesë nga dhjetë kompani, thonë se janë në gjendje të mbajnë një staf të qëndrueshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›