E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bordi i KEK-ut kundër kontratës me RTK-në

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka pritur në një takim anëtarët e Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Në këtë takim është diskutuar rreth parapagimit të RTK-së përmes faturave të KEK-ut.

Bordi i KEK-ut në këtë takim ka kundërshtuar vazhdimin e kontratës me RTK-në Sipas tyre KEK-u humb përafërsisht 2.5 milionë euro në vit nga tarifa e RTK-së

Ata thanë se RTK nuk mbulon tërë territorin e Kosovës dhe konsumatorët e KEK-ut janë të irrituar që duhet ta paguajnë taksën për RTK-në në vlerë prej 3.5 euro në muaj.

Gjithashtu, sipas KEK-ut, për konsumatorët me burime të kufizuara financiare, tarifa e RTK-së është duke e marrë pjesën e cila do të duhej të paguhej për energjinë elektrike.

Pasi ka dëgjuar shqetësimet e Bordit të KEK-ut rreth këtij parapagimi, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se duhet të shikohen alternativa të cilat parasëgjithash duhet të jenë të pranueshme për qytetarët e Kosovës.

"Jam për një zgjedhje të qëndrueshme, por shqetësimin tuaj ju duhet ta drejtoni edhe në Qeveri. Nëse nuk ka asnjë alternativë tjetër, atëherë duhet të mendojmë që financimi i RTK-së të bëhet nga buxheti i Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›