Bordi nuk ka faj
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj zyrtarëve të lartë të PTK-së, lidhur me kontratën për Dardafonin, ka nxjerrë në shesh edhe dallimet në qëndrime ndërmjet menaxhmentit dhe Bordit të kësaj ndërmarrjeje. Ndryshe nga kryeshefi ekzekutiv, Shyqyri Haxha, i cili krejt përgjegjësitë për këtë kontratë i hedh te Bordi, kryesuesi i këtij të fundit, Rexhë Gjonabalaj, thotë se institucioni që ai drejton nuk është ekzekutiv, porse vetëm merr vendime.
Duke u thirrur në Ligjin për Ndërmarrjet Publike, Gjonbalaj në intervistë për Express shpjegon se Ligji e përcakton që obligimet dhe përgjegjësitë të kalojnë tek ekzekutivi.
“Është konform ligjeve në fuqi. Pas vendimeve të Bordit, Ligji e rregullon që obligimet dhe përgjegjësitë të kalojnë tek ekzekutivi”, ka thënë ai.
Kreu i PTK-së, Shyqyri Haxha, pati deklaruar se ai është i thirrur që t’i ekzekutojë vendimet e Bordit dhe se e njëjta ka ndodhur edhe me kontratën për Dardafonin. “Unë obligohem me ligj që t’i ekzekutoj vendimet e Bordit, respektivisht vendimet e aksionarit”, pati thënë Haxha, në intervistën për Express.
Megjithatë, kështu nuk mendon Gjonbalaj. Sipas tij, Bordi nuk përgatit, e as nuk nënshkruan kontrata, por veç merr vendime për lejim apo moslejim të projekteve të caktuara.
“Përgjegjësitë janë të ndara në bazë të ligjit”, pohon Gjonbalaj, duke shtuar se është menaxhmenti i ndërmarrjes ai që më pas i ekzekuton vendimet.
E vetmja pikë ku pajtohen këta zyrtarë të lartë të PTK-së, ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë, është ajo që kontrata me Dardafonin, sipas tyre, nuk është e dëmshme dhe se është konform ligjeve në fuqi.
Por, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, kjo kontratë e ka dëmtuar PTK-në. Aty thuhet se kreu i PTK-së, Shyqyri Haxha, përkundër faktit se ka pasur njohuri mbi pafavorshmërinë dhe pasigurinë e marrëveshjes, ka nënshkruar MVNO-në me një ndarje të fitimit prej 27 për qind në dëm të PTK-së, duke i shkaktuar dëm të madh kësaj ndërmarrjeje.
Në këtë rast, Gjonbalaj thotë se me këtë kontratë, PTK-ja ka përfituar afër 200 mijë konsumatorë të rinj, që nënkupton rritjen e performancës dhe krijimin e të hyrave nga ky projekt, pa investime.
Akuzat e Prokurorisë kanë të bëjnë edhe me anashkalimin e një task force, që përbëhej nga ekspertë brenda PTK-së, e të cilët i kishin rekomanduar Bordit se po nënshkruhet një kontratë e pafavorshme. Madje, ata kishin ofruar edhe një studim të tyrin, të cilin kreu i Bordit e quan jo më shumë se një “pamflet”.
Ai thotë se Bordi ka vendosur në kundërshtim me rekomandimet e ekspertëve, pasi nuk ka besuar në vlerësimet e tyre. Sipas tij, që të gjithë ekspertët e Task-Forcës 2 janë deklaruar që nuk janë ekspertë të kësaj fushe, por megjithatë kanë sjellë një dokument.
“Studimin e tyre, Bordi e vlerësoi si joserioz. Madje, edhe si tendencë por moslejimin e këtij projekti dhe mori vendim në bazë të punës së Task-Forcës 1, e cila kishte arritur ta bindë Bordin se projekti ishte i arsyeshëm”, ka thënë Gjonbalaj.
Ai mohon zërat se Qeveria ka kërkuar nga ai apo dikush tjetër dorëheqjen, pas ngritjes së aktakuzës. Thotë se asnjëherë askush nuk ia ka kërkuar një gjë të tillë. Madje, as që ka nevojë për një gjë të tillë, pasi thotë se Qeveria është aksionari i PTK-së dhe asnjë vendim nuk merret pa pëlqimin edhe të saj.
Edhe në mbledhjen kur është nënshkruar kontrata me Dardafonin, përfaqësuesi i Qeverisë ka qenë i pranishëm.
“Ne obligohemi me ligj ta njoftojmë aksionarin për çdo vendim. Asnjëherë nuk kemi marrë vërejtje që një veprim yni është i dëmshëm apo në kundërshtim me ligjin”, thotë ai. Gjonbalaj, po ashtu, mohon t’u ketë bërë presion anëtarëve të Bordit, siç thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.