Vetëvendosje: Shëndetësia para kolapsit
Lëvizja Vetëvendosje ka drejtuar një varg kritikash ndaj institucioneve të Kosovës për situatën e krijuar në sektorin e shëndetësisë. Sipas Vetëvendosjes, sektori i shëndetësisë është sjellë buzë kolapsit, ndërkohë që ka kundërshtuar edhe njëherë pretendimet për privatizimin e këtij sektori.
Në një konferencë për media të dielën, Xhelal Sfeqla nga Lëvizja Vetëvendosje, ka theksuar se kjo qeveri me 19 ministra dhe 6 zv. kryeministra propozon që pa përgjegjshmërinë e deritanishme ta transferojë në zgjidhje përmes sektorit privat.
Sipas tij, vendi ynë ende vazhdon të mos ketë sigurime shëndetësore e që nga qeveritaret po pretendohet të behet përmes privatizimit të këtij sektori, gjë që sipas Sfeçlës është më se i dëmshëm për qytetarët.
“Situata në mjekësi është pasqyrim i harresës totale që qeveria aktuale dhe të tjerat para saj i kanë bërë secilit qytetar të Kosovës. Çfarë ka ndodhur konkretisht në këtë sektor? Mungesa e vullnetit politik për funksionalizimin dhe reformimin e sistemit shëndetësor, keq menaxhimi i qëllimshëm për interesa personale grupore dhe partiake e kanë sjellë sektorin publik në prag të kolapsit”, ka thënë ai.
Sipas Sfeçlës, politikat e deritanishme nga institucionet udhëheqëse në këtë sektor kanë përkeqësuar edhe raportet mes pacientit dhe mjekut.
“Pasi e rrënuan shërbimin publik promovuan abuzimin me fondet publike për barnat, degraduan infrastrukturën spitalore, rekrutuan në vija partiake drejtuesit dhe na dhanë si rezultat armiqësimin e mjekut me pacientin”, ka thënë Sfeqla.
Ndërkaq, Arben Vitia, udhëheqës i Komitetit për shëndetësi në Lëvizjen Vetëvendosje, ka shprehur shqetësime rreth vonesës së funksionalizimit të Institutit të Onkologjisë, në të cilin deri më tash janë investuar rreth 5 milionë euro, por që ende ky institut nuk është funksionalizuar në tërësi.
“Kjo qeveri ka bërë një hap përpara drejt degradimit të sistemit shëndetësor. Është alarmant paralajmërimi i ministrit të Shëndetësisë se po shqyrtohet varianti i mundësisë së zgjedhjes së bashku me sektorin privat të problemeve në disa lëmi të shëndetësisë. Rasti konkret është Instituti i Onkologjisë. Kjo është një nismë, e cila do të godasë gjepat e qytetarëve të Kosovës, specifikisht pacientët që vuajnë nga kanceri dhe familjarët e tyre” ka thënë Vitia.
Derisa autoritetet shëndetësore thonë se partneriteti publiko-privat është e vetmja mundësi për ta funksionalizuar Institutin e Onkologjisë, Vitia thotë se
se një gjë e tillë është e pa favorshme për qytetarët dhe se me këtë do të dëmtohet vetëm xhepi i tyre.
“Ne pyesim ministrin se kush do t’i paguajë këto shërbime. Në fakt ky rast e normalizon praktikën e sjelljes me institucionet e shtetit si me pronën private. Askush nuk mund të marrë vendime kokë në vete dhe në mënyrë jo transparente”, ka thënë Vitia.