Nuk ju tradhtuam
Rënia e papritur e Ballkanit nga Superliga e dëshpëroi gjithë Therandën. Mirëpo, mërzia te futbollistët e këtij ekipi është dyfishuar, për faktin se të gjitha fajet për këtë dështim të Ballkanit janë hedhur mbi ta.
Madje, therandasit mendojnë të jenë tradhtuar nga futbollistët e tyre, te të cilët dyshojnë se ia kanë dhuruar fitoren Lepencit në ndeshjen barazhit, e cila të enjten përfundoi me rezultat 1:0 për ekipin nga Kaçaniku, që nga vendi i tretë i Ligës së Parë hyri në Superligë, prej nga e largoi ekipin portokalli.
Dyshime të tilla në lojtarë kishte edhe trajneri Zymer Elshani e drejtori Besim Kuçi, të cilët tashmë kanë dhënë dorëheqje.
Por, futbollistët ndihen të dëshpëruar që po shikohen me një sy tjetër nga therandasit. Ata bindshëm thonë se nuk kanë manipuluar me atë takim. Lojtarët pranojnë se nuk ishin të angazhuar sa duhet në atë ndeshje, por kategorikisht mohojnë ta kenë tradhtuar Ballkanin.
“Unë jam i bindur që asnjë lojtar i ekipit nuk ka bërë gjeste të tilla të liga. Në atë takim dështuam 11 lojtarët në fushë. Është e pamundur që të gjithë të kenë manipuluar. Është e vërtetë që nuk luajtëm mirë sikurse më parë. Nuk e di pse. Por, nuk ka të bëjë me një tradhti të Ballkanit. Jam shumë i dëshpëruar. Më vjen tepër keq për të gjithë tifozët tanë therandas, por gjeste të liga ne lojtarët nuk kemi bërë”, deklaroi për Express kapiteni i portokallinjve, Fillim Guraziu.
“Gjatë gjithë kampionatit kemi punuar në kushte të rënda duke stërvitur nëpër livadhe. Ndeshjet i luanim jashtë vendit. Por, megjithatë në çdo takim e kemi jep maksimumin. Ne jemi ata që kemi fituar në shumë ndeshje të njëjta për nga rëndësia. Kemi mundur të manipulojmë më herët e jo në ndeshjen e fundit. Por, kurrë nuk kemi menduar andej. Pse humbëm as vetë nuk po e kuptoj”, shtoi ai.
Njëjtë shprehet edhe njëri prej lojtarëve kryesorë të Ballkanit, Fitim Krusha. “Për veti garantoj që skam gisht në asi punë. Por, e them me bindje të plotë se as shokët tjerë të mi të ekipit nuk kanë manipuluar me atë takim. Dëshira e gjithë neve ka qenë ta arrijmë objektivin dhe të gjithë jemi të dëshpëruar që dështuam në fund”, thotë Krusha.
Ai mendon se e ka gjetur arsyen pse Ballkani ra nga Superliga. “Mendoj që e kemi nënçmuar kundërshtarin. Kemi hyrë në ndeshje me dëshirë të madhe për të fituar, pa e menduar se mund të humbasim. Kjo mendoj se ndikoi keq te ne dhe na ndodhi kjo”, vazhdoi Krusha i cili ndien keqardhje për tifozerinë e Therandës.