Bordi përzgjedh filmin e shkurtër
Katër filma me metrazh të shkurtër dhe një paketë projektesh të studentëve të Akademisë së Arteve kanë marrë miratimin për financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. I mbledhur të hënën, më datë 9 mars, Këshilli Miratues i Projekteve të Filmit Artistik, i përbërë nga kryetari Kiço Blushi dhe anëtarët Elvira Diamanti, Todi Bozo, Ylli Pepo, Ndriçim Xhepa, Fatos Baxhaku, dhe Kristaq Skramin, kanë shqyrtuar 14 projekte të këtij zhanri. Në përfundim, QKK-ja ka vendosur të financojë në shumën 5 milionë e 950 mijë lekë të reja projektin "Temë diplome, studentët e Akademisë së Arteve, Dega Regji". Nga ky financim kanë përfituar gjashtë studentë: Andi Haxhihyseni me "Jetë paralele", Indrit Kasmi me "I miri, i keqi dhe i shëmtuari", Xhoslin Rama me "Vdekja e gjysh Trifonit", Suela Demiri me "Dita e parë e punës", Evis Lule me "Përtej kufijve", Klajd Papadhimitri me "Mysafirët". Producent i këtij projekti është "On Film Production" sh.p.k. Bordi ka menduar të mbështesë këtë projekt në paketë, me një shifër që shkon më pak apo më shumë se 1 milionë të reja për çdo regjisor. Projektet e tjera fituese përfshijnë "Pleqtë e hashashit" me skenar të Bashkim Kozelit dhe regji të Juli Xhokaxhi, financuar në vlerën 3 milionë e 600 mijë lekë, "Familja e gjakësit", me skenar dhe regji të Neritan Mehmetajt, i cili ka studiuar në Itali, me financim 3 milionë e 230 mijë lekë. Në vendin e tretë është përzgjedhur filmi "Matanë lumit" me skenar të Vladimir Priftit dhe regji të Sabir Kanaqit, i financuar në vlerën e 3 milionë e 160 mijë lekëve, për të përfunduar me projektin "Kafeja e fundit", një formë etydi me skenar dhe regji të Vasian Lamit, i financuar në vlerën e 1 milionë e 780 mijë lekë. Parashikohet që këto projekte të realizohen në kuadrin kohor të një viti, duke marrë parasysh se për realizimin e tyre nuk kërkohen bashkëprodhime apo bashkëpunime me të huajt. Por ndonëse filmi me metrazh të shkurtër është një gjini që kohët e fundit po gjen interesin e krijuesve, mbetet problematik kontakti i tij me publikun. Zakonisht, krijime të tilla nuk shkojnë përtej stafit realizues dhe një publiku të ngushtë, zakonisht i ftuar në premierë. "Tirana Film Festival" ka qenë deri më tani një mundësi e shfaqjes së këtyre filmave, ndërsa nuk dihet çdo të ndodhë në kohën edhe kur ky aktivitet vit pas viti vihet në diskutim.
Projektet për zhvillim
Që këtej e tutje, në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, regjisorët nuk do të kenë më mundësi të aplikojnë për financimin e projekteve në zhvillim. Pas disa diskutimesh, një mbledhje më parë është vendosur përfundimisht që nuk do të ketë më projekte të tilla, duke synuar që kjo të përfshihet edhe në rregulloren e qendrës. Fillimisht, këshillimi miratues vendosi për miratimin e katër projekteve të tilla, të cilat u kthyen nga kryetari i qendrës, Xhevdet Ferri. Kjo e shtyu edhe më tej debatin për këtë seksion, duke çuar në anulimin e marrjes në shqyrtim të këtyre projekteve. Ky vendim nuk përjashton askënd, qofshin këta regjisorë të vjetër e të njohur, apo të rinj. Në mbledhjen e bordit, një nga arsyet që ka justifikuar këtë vendim, ka qenë rrjedhja e lekëve që nuk arrinin dot kurrë në mënyrë konkrete të ktheheshin në qendër. Në harkun kohor të dy vjetëve, ishin rreth 10 filma që merrnin financim për zhvillim projekti, pjesa më e madhe e të cilëve nuk kishte mundësi të merrte financim përfundimtar. Si pasojë, pavarësisht se kur bëhej kontrata, në një nga pikat parashikohej që nëse një projekt ka marrë lekë për zhvillim, e më pas nuk merrte miratimin për financim të plotë, shuma fillestare duhej të kthehej. Por sipas të dhënave nga QKK-ja, kjo pothuajse nuk ndodhte kurrë. Prishja e kontratave nuk ka ndodhur vetëm për këtë seksion filmi, por edhe me financime të filmit të gjatë, ku vetë Ferri ka pohuar se janë në procese gjyqësore për raste të tilla. Ndërsa logjika tjetër që i ka çuar anëtarët e bordit të vendosin për anulimin e projekteve që kërkojnë financim për zhvillim, ka qenë veprimtaria e regjisorëve apo shtëpive filmike gjatë funksionimit 12-vjeçar të Qendrës sipas Ligjit të ndryshuar për Kinematografinë. Sipas tyre, shumica e regjisorëve kanë bërë kush 2 apo 3 filma dhe kanë arritur të kenë një lloj buxheti modest për të realizuar një projekt të plotë e për ta paraqitur si konkurrues për financim. Deri më sot, shuma prej 10 apo 20 milionësh për këtë seksion është përdorur për përkthim skenari, për vendosje kontaktesh me bashkëpunëtorë të huaj dhe elementë të tjerë. Ndërkohë, është parashikuar që nëse një projekt fiton të drejtën për t‘u financuar, që në momentin e parë, regjisori mund të tërheqë 5 apo 10 për qind të buxhetit, për ta zhvilluar më tej.