"Një jetë e mrekullueshme" në Tiranë
Lume Blloshmi është në kërkim të pasurimit të praktikës së saj artistike, duke lëvizur në hapësira të reja ekstrapiktorike. Duke mos e tradhtuar origjinën e saj si piktore, artistja ridimensionon punën e saj përmes futjes së subjekteve të marra nga jeta e përditshme, të përzgjedhura përmes vëzhgimit të pastër instinktiv. Ndoshta për këtë arsye e ka titulluar "Një jetë e mrekullueshme", ekspozitën e saj personale, e cila çelet sot në galerinë "Zeta" në Tiranë në bashkëpunim me T.I.C.A.- Instituti i Artit Bashkëkohor. Duke përdorur satirën dhe aktin Dushampian të "emërdhënies", Lume Blloshmi ndërton një univers të vogël, në të cilin, nëse shohim me kujdes, vërejmë që ka atë vetë në qendër dhe personazhet e saj sillen rrotull si planetë të veckël të ndërvarur. Kuruar nga Edi Muka, ekspozita e Lume Blloshmit do të sjellë për publikun një numër projektesh të reja, si dhe disa pjesëza të reja nga seria në vazhdim "It‘s a men‘s world / Është një botë burrash". Ekspozita shoqërohet me një katalog të punëve të ekspozuara.