E Diel, 1 Nëntor 2026

Bordi skandaloz i monitorimit të fushatës

Nga Tema/TCH

Bordi i monitorimit të medieve, një organizëm që të do kontrollojë punën e tyre gjatë fushatës, mund të thuhet pa më të voglin dyshim se nuk ka aspak besueshmëri. I përzgjedhur pa praninë e medieve dhe pa u diskutuar aspak, bordi në fjalë është i mbushur me gazetarë militantë të medieve të qeverisë.

Në krye të këtij bordi është Basir Çollaku, drejtor informacioni i televizionit Mediasat, televizionit të familjes Berisha. Mediasat, i njohur dikur me emrin ATN1, është një media në pronësi të Elvana Hanës, mbesës së gruas së kryeministrit. Hana është e implikuar në disa afera që janë denoncuar nga gazeta “TemA”. Duke pasur mbrojtjen e Berishës, ajo ka arritur që të krijojë dhe një bankë private, e cila qarkullon paratë e institucioneve të shtetit shqiptar.

Akoma nuk dihet, nëse Çollaku ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij. Anëtarët janë emëruar gjatë një mbledhjeje urgjente para më pak se një jave.

Në bord janë përfshirë tre gazetarë nga dy mediet e qeverisë, gazeta zyrtare, RD, dhe ajo “55”.

Bordi i monitorimit përbëhet nga Rexhep Polisi, gazetar i “Rilindjes Demokratike”, Blerina Toslluku, gazetare po te “Rilindja Demokratike”.

Anëtari tjetër, Artur Bego, është zëvendëskryeredaktor i gazetës “55”.

Anëtarët janë propozuar nga secili anëtar i KQZ. Në krahun tjetër janë propozuar Hamdi Jupe, gazetar i “Zërit të Popullit”, aktualisht është në profesion të lirë, Shqyri Meka, dikur zëvendëskryeredaktor i “Zërit të Popullit” dhe Iris Luarasi, gazetare me përvojë në radio, analiste e medias dhe aktiviste e shoqërisë civile.

Kriteret e atyre që do të ruajnë etikën dhe mediet e mëdha gjatë fushatës në fakt janë të ulëta.

Kandidatët mjaftonte të kishin arsimin e lartë, tre vjet eksperiencë pune si gazetarë dhe të mos ishin të dënuar më parë.

Grupe të fuqishme mediatike do të jenë kështu në dorë të bordit, i cili, nëse mendon se ka vërejtur shkelje, në raportet e tij ditore për KQZ, mund të kërkojë gjobë prej disa milionash apo deri mbylljen prej 48 orësh të operatorit radioteleviziv.

Kriteret e monitorimit janë ato të paanësisë dhe profesionalizmit në pasqyrimin e aktiviteteve të partive politike gjatë fushatës.

Por monitorimi përjashton medien e shkruar. Pra, anëtarët e bordit të medias do të kërkojnë nga mediet elektronike respektimin e atyre kritereve që ata nuk do të jenë të detyruar t'i zbatojnë vetë në punën e përditshme si gazetarë te “RD”, “ZP” apo “55”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›