Rama: Do të vizitoj rrugën Durrës-Kukës kur të inauguroj përfundimin e sajNga Tema Kryetari i PS-së Edi Rama deklaroi mbrëmë në “Top Story” s
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama: Do të vizitoj rrugën Durrës-Kukës kur të inauguroj përfundimin e sajNga TemaKryetari i PS-së Edi Rama deklaroi mbrëmë në “Top Story” se PS nuk ka kërkuar dhe nuk ka lënë të kuptohet për asnjë moment që është e interesuar për shtyrjen e zgjedhjeve, por ai nuk ka dhënë një përgjigje të prerë dhe të qartë se a do të kërkojë PS shtyrjen e zgjedhjeve për shkak se sipas PS, procesi i pajisjes me karta identiteti është i pamundur për tu realizuar brenda afateve kohore. Kreu socialist i është përgjigjur pyetjeve të të vetmit gazetar Sokol Balla, dhe në pjesën tjetër të emisionit ai i është përgjigjur një grupi specialistësh të fushave të ndryshme, të cilët kanë shtruar pyetje të fushave që ata përfaqësojnë. Me një model të ri të debateve televizive, i paaplikuar më parë në Shqipëri, dhe jo shumë i zakonshëm edhe në përvojën e vendeve të tjera, Rama ka shmangur në këtë mënyrë përballjen me analistët shqiptarë.
Sa i përket çështjes së kartave të identitetit, Rama u shpreh mbrëmë se e gjithë përgjegjësia bie mbi qeverinë, duke u distancuar nga çdo lloj përgjegjësie që duhet të mbajë opozita për shkak të marrëveshjes së bërë me mazhorancën për kodin elektoral.
“Ky është një dështim i kësaj qeverie, përgjegjësi direkt e Berishës. Për herë të parë në demokracinë e re shqiptare qeveria ka pasur gjithë kohë përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, kjo në saj të opozitës sonë. Në për asnjë çast nuk kemi thënë dhe kemi lënë të kuptojmë shtyrjen e zgjedhjeve. Procesi kërkonte një përgjegjësi menaxhuese që kjo qeveri nuk e ka, por grupi ynë i ekspertëve që merret me të, ka arritur në konkluzionin se në bazë të të gjitha të dhënave lind e drejta e një kallëzimi penal. Përsëris që çdo qytetar që kërkon fundin e këtij kapitulli të shëmtuar, duhet të këmbëngul që të aplikojë me qëllim që të japë kontributin e tij për të larguar një qeveri të tillë”, tha Rama.
Kryetari i PS foli dhe për çështjen e integrimit. "Është e papranueshme që hyrja në NATO të jetë sinonim i kësaj qeverie". Kështu u shpreh kryesocialisti Rama, duke vlerësuar se kurorëzimi me sukses i anëtarësimit të vendit në Aleancë është një rezultat i punës disavjeçare të politikës.
Taksat
Kryetari socialist tha dje se do të vizitojë rrugën Durrës-Kukës Morinë, vetëm kur ai të shkojë për ta inauguruar si një vepër që sipas tij do ta përfundojë qeverisja e ardhshme socialiste. “Ka një ndryshim themelor mes qeverisë kombëtare dhe vendore, e cila është shumë më pranë punës konkrete. Bashkia e Tiranës i ka paraprirë zhvillimit, duke krijuar akse të reja dhe duke shtuar standardet në to. Qeveria kombëtare në të gjitha aspektet thjesht dhe vetëm i ka lënë inercisë të zhvillimit të përgjithshëm duart e lira. Këtu dallohen alternativat tona. Rruga Durrës- Kukës, është prioritet kombëtar. Është ide e vjetër e nisur nga kryeministri i asaj kohe, Pandeli Majko, por që Berisha e vijoi në njërën anë ndërtimin e saj, dhe nga ana tjetër në emër të këtij prioriteti e ktheu në një nga grabitjet më të mëdha, për të cilin ka një proces të hapur, dhe të gjitha personat do të përgjigjen para drejtësisë. Pa dyshim do ta vizitoj rrugën kur ne ta inaugurojmë në formën e vet përfundimtare dhe ajo copa-copa siç po bëhet sot vetëm e vetëm për arsye elektorale”, tha Rama. Sa i përket premtimeve të tjera elektorale, Rama është përqendruar tek çështja e taksave ku dhe është shprehur se nuk do të rriten taksat gjatë qeverisjes socialiste. Kryetari i PS-së tha se sapo të vijë në pushtet do të rihapë programin e bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe se në bashkëpunim me këtë organizatë qeverisja socialiste do të aplikojë paketën anti-krizë financiare, e cila sipas Ramës tashmë është e gatshme.
Legalizimet
Kryetari i PS-së tha dje se do të mbyllë procesin e legalizimeve. Rama u shpreh se çështja e legalizimeve do të mbyllet në qeverisjen e PS, dhe se ato shtëpi që janë ndërtuar në rrethinat e Tiranës apo të gjitha qyteteve të tjera, tashmë e kanë fituar statusin e tyre. “Sali Berisha i shikon rrethinat e Tiranës dhe qyteteve të mëdha vetëm si hambare votash për pushtet personal dhe familjar. Unë fola për komitetin shtetëror për rrethinat, puna e të cilit do të fillojë pikërisht me mbylljen e procesit të legalizimeve. Secili i ardhur që ka ndërtuar shtëpitë e tij në rrethinat e Tiranës apo edhe në të qyteteve të tjera, nuk duhet të mendojë se e ardhmja e tij dhe e shtëpisë së tij do varet nga Sali Berisha apo Edi Rama. Sepse ajo shtëpi e ka fituar statusin e vet. Ajo që duhet të bëjë qeveria është urbanizimi dhe rregullimi i jetës së atyre njerëzve që jetojnë në periferi të Tiranës apo të çdo rrethi tjetër. Banorët e zonave informale janë peng i pazareve kryeministrash dhe ish-kryeministrash dhe unë ju kërkoj votën e tyre që të zgjidhet problemi i tyre”, tha Rama.