E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borë në veri, rëndohet qarkullimi në disa akse

Reshjet e dëborës që nisën në mëngjes në veri kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në aksin kryesor rrugor që lidh Tiranën me Kukësin dhe me doganën e Morinit. Trashësia e dëborës në këtë zonë ka arritur mbi 10 cm 

KUKËS- Shiu dhe dëbora që nisi sot në mëngjes në zonën verilindore të vendit kanë shkaktuar probleme në disa akse të rëndësishme të vendit. Burime nga Drejtoria rajonale e Rrugëve bëjnë të ditur se reshjet e dëborës që nisën në mëngjes në gjithë rajonin verilindor, kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në aksin kryesor rrugor që lidh Tiranën me Kukësin dhe me doganën e Morinit.

Trashësia e dëborës në këtë zonë ka arritur mbi 10 centimetra dhe për normalizimin e situatës është dërguar një borëpastruese.
Nga të njëjtat burime mësohet se shiu i dendur dhe dëbora në zonat e larta kanë shkaktuar bllokimin e akseve që lidhin komunat e Arrnit, Grykë Cajës, Zapodit e Kalisit me pjesën tjetër të vendit. Në disa fshatra të këtyre komunave trashësia e dëborës ka arritur mbi 30 centimetra. Reshjet e shiut e dëborës kanë shkaktuar probleme edhe në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin e Peshkopinë, ku ka patur rrëshqitje dheu e gurësh në trasenë e rrugës.

Ndërkohë janë intensifikuar përpjekjet për mbajtur hapur akset kryesore rrugore, veçanërisht atë Morin-Kukës-Qafë Shllak ku është dhe lëvizja më e madhe e automjeteve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›