E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushimet e fundvitit, shqiptarët druhen të rezervojnë udhëtime jashtë vendit



Ervin Koçi

Atmosfera e festave të fundvitit nuk po përjetohet si ngaherë këtë vit në Shqipëri. Rënia e fuqisë blerëse dhe pakësimi i shpenzimeve për argëtime, dhurata dhe për të festuar këto festa, ka bërë që të duket sikur shqiptarëve nuk u intereson që viti 2008 të mbarojë. Kjo mbase dhe nga perspektiva e zymtë që kanë dhënë ekspertët e ekonomisë botërore për vitin që po troket, në të cilin është parashikuar që të kulmojë kriza ekonomike botërore. Kaq të vërteta dhe të prekshme kanë nisur të bëhen ato që vetëm disa muaj më parë konsideroheshin si “parashikime pesimiste”, sa ndër të parat që e kanë ndjerë këtë rënie në vendin tonë kanë qenë agjencitë turistike. Këto të fundit konstatojnë një rënie të numrit të prenotimeve për paketa turistike për të festuar pushimet e fundvitit jashtë vendit, deri në 50 për qind në raport me një vit më parë. Sipas operatorëve turistikë të disa prej agjencive kryesore të kryeqytetit, kriza ekonomike ka mbyllur këtë vit xhepat e shqiptarëve, që ndryshe nga vjet, sivjet kanë bërë fare pak prenotime, por edhe ato nuk janë të sigurta, pasi ndryshojnë deri në momentin e fundit. Alma, një operatore turistike në një prej agjencive më të njohura në kryeqytet, thotë për gazetën “Albania” se “për herë të parë këtë vit kriza është ndjerë në të gjitha paketat dhe udhëtimet për festat e fundvitit. Por ajo që është më e çuditshme është fakti që mendja klientëve u ndryshon pikërisht në momentet më të fundit, ku në jo pak raste ata kanë anuluar prenotimet e udhëtimeve duke kërkuar që t’u rikthehen paratë”. Kjo gjë konstatohet në të gjitha agjencitë turistike në Tiranë, të cilat këtë dhjetor janë “ngrohur” vetëm nga paketat modeste të udhëtimeve për në vendet më të afërta të Ballkanit, ku dominojnë udhëtimet në Maqedoni, Mal të Zi, Kroaci apo Turqi. Këto vende janë më të preferuarat edhe për shkak të mungesës së pengesës më të madhe, vizës, por edhe sepse kanë një kosto më të lirë sesa udhëtimet e tjera.

Pushime në shtëpi

Pushimeve të familjeve shqiptare këtë fundvit do t’i shkonte shumë proverbi “shtriji këmbët sa ke jorganin”, që do të përkthehej ndryshe, “në shtëpi dhe me kursim”. Kjo ka ndodhur edhe me ata që kanë menduar t’i festojnë ditët e fundvitit jashtë vendit, ku vihet re qartë tendenca për të shpenzuar sa më pak dhe për të mos u larguar shumë nga vendi. Për pasojë vendin e parë për pushime e zënë vendet fqinje, si Mal i Zi, Maqedonia, Kroacia etj., për shkak të afërsisë me Shqipërinë dhe çmimet e leverdishme. Por kësaj i është bashkangjitur edhe dëshira për vendet malore, ku turistët kanë mundësi të prekin dëborën dhe të bëjnë ski. Por dëshirat mund të kufizohen nga buxheti që këtë vit është kushtëzuar edhe nga kriza ekonomike. Sipas drejtuesve të agjencive turistike, ka një ulje të kërkesës për prenotime jashtë vendit, për shkak të uljes së fuqisë blerëse dhe një fakt i tillë duket se i ka shtyrë shqiptarët të mendohen dy herë për të ndërmarrë ndonjë udhëtim jashtë vendit për festat e fundvitit. Sipas agjentëve të turizmit, pranë disa prej agjencive më kryesore të kryeqytetit, “deri tani është vënë re një rënie e kërkesës në krahasim me një vit më parë nga 45-50 për qind, kryesisht për prenotimet, për të kaluar Vitin e Ri jashtë kufijve shqiptarë”.

Çmimet janë rritur

Megjithëse në krizë dhe me rënie deri në 50 për qind në krahasim me një vit më parë, agjencitë turistike këtë vit na kanë çuditur me një rritje të re deri në 10 për qind për çdo paketë turistike. Me anë të saj pronarët e agjencive kanë dashur të justifikojnë humbjet nga rënia e fluksit të klientëve, edhe pse kjo nuk ka ndikuar në stepjen masive të klientëve shqiptarë. Kështu, fatura financiare e shqiptareve që kanë zgjedhur t’i kalojnë festat jashtë vendit e kalon bindshëm shifrën prej 1000 eurosh çifti. Rritja e çmimeve ka prekur edhe destinacione si Dubai, Parisi, Vjena, Praga apo edhe Sharm El Sheik-u. Çmimet kanë qenë kushti kryesor që kanë diktuar ata pak klientë që mendojnë t’i kalojnë festat e fundvitit. Çmimin më të lartë e mban aktualisht destinacioni “Dubai”, ku oferta shënon 1195 euro për person, për 5 net. Vendi i arkitekturave moderne pasohet nga qyteti i ”dashurisë”, Parisi, i cili ka oferta, që llogariten në 989 euro për person për katër net, pastaj ato pasohen nga Madridi, Vjena, Praga, Budapesti, Roma e Milano. Çmimet në të vërtetë janë të kripura dhe ky fakt pohohet edhe nga vetë agjencitë, edhe pse është menduar për të gjitha shtresat.

Viza mbetet problem

Edhe pse mund të ketë ndodhur që ta kesh xhepin plot dhe dëshirën “top” për të shkuar me pushime jashtë vendit dhe për të shpenzuar jo pak për aventura, problem gjithnjë për shqiptarë mbetet viza, sidomos kur ajo i përket sektorit “Shengen”. Kështu, viza vazhdon të mbetet detaji më i rëndësishëm. Për këtë pjesë të prenotimeve, sipas agjencive, mesi i muajit dhjetor është afati i fundit, pasi të tilla janë edhe procedurat që parashikojnë shoqëritë e udhëtimit. Punonjëset e agjencive të udhëtimit tregojnë se për procedurat e vizës klientët duhet të kontaktojnë të paktën 10 ditë përpara ditës së nisjes.

Shkurt///////////////////////////////
“Ski për Vitin e Ri”, një argëtim i ri për shqiptarët

Të heqësh stresin e ditëve të gjata dhe të lodhshme të punës duke bërë ski, sidomos gjatë ditëve të festave të fundvitit, është kthyer në një traditë për një kategori shqiptarësh. Kryesisht janë të rinjtë, zyrtarët dhe biznesmenët ato grupe klientësh që janë të prenotuarit e hoteleve alpine jo vetëm në vendet fqinje por edhe në vendin tonë si në Dardhë dhe Voskopojë. Megjithatë, vendet fqinje mbeten stacioni më i preferuar ku ekziston mundësia më e mirë për të bërë ski. Me çmime që nisin nga 120 euro deri në 280 euro për person, nga 3-4 ditë, vendet fqinje si Mali i Zi dhe Maqedonia ofrojnë mundësi të shumta.

Kryeqytetet europiane, vendet më të preferuara për Krishtlindje

Shumë shqiptarë kanë preferuar vitet e fundit kryeqendrat europiane për të pushuar dhe kaluar natën e Krishtlindjeve dhe atë të ndërrimit të viteve. Në propozimet e agjencive të udhëtimit, veçanërisht gjatë festave të Krishtlindjeve, kryeqytetet europiane mbeten po kaq të kërkuara sa vendet e nxehta. Moska, Londra, Parisi, Amsterdami, Roma, Vjena, Praga, Budapesti dhe Stambolli janë disa nga propozimet që ofrohen për “natën e dritave”. Këto janë dhe qytetet që çdo vit thithin numrin më të madh të vizitorëve jo vetëm shqiptarë, por nga e gjithë bota. Zgjedhja diktohet edhe për faktin se në këto kryeqendra ka më shumë atmosferë festive, borë dhe drita. Një tjetër arsye është fakti se në turet e turistëve përfshihen edhe vizita në muzetë dhe monumentet më të rëndësishme të këtyre metropoleve.

“Sharm El Sheik”, aty ku mund të nxihesh edhe në dimër

Krishtlindjet dhe nata e ndërrimit të viteve mund të priten krejt ndryshe nga kryeqytetet europiane edhe buzë Detit të Kuq në plazhet e Sharm El Sheik-ut. Prej kohësh pushimet e dimrit nën diellin përvëlues të shkretëtirës së Sinait janë kthyer në një mani edhe për shqiptarët, sidomos për ata “aventurier”. Të rinjtë pëlqejnë të festojnë në Sharm El Sheik dhe kryesisht meshkujt, që shpesh kërkojnë këto paketa, për shkak se këto destinacione preferohen paralelisht edhe nga shtetaset ruse, që janë një tërheqje “magnetike” për ta. Kjo gjë pohohet edhe nga agjentët turistikë të agjencive të ndryshme të kryeqytetit që kanë thënë se “riviera e Detit të Kuq është tejet tunduese”. Riviera e Sharmit ofron plazhe luksoze dhe resorte popullore për më pak se 1000 euro personi në disa ditë qëndrimi.

Izraeli, një vend që ia vlen ta vizitosh edhe në fundvit

Në paketën turistike për fundin e vitit listës së shumëllojshme të ofertave nga operatorët i është shtuar edhe Izraeli. Ky destinacion ofrohet nga shumë pak agjenci dhe kryesisht do të jepet për periudhën janar-shkurt të vitit të ardhshëm, por mund të gjeni oferta edhe për të kaluar Vitin e Ri. Agjencitë e ofrojnë këtë destinacion me një çmim 590 euro për person duke përfshirë biletat, akomodimin në hotel, shëtitjet. Udhëtimi për në Tel Aviv parashikon vizita për të eksploruar lagjen moderne të qytetit, udhëtimin për në Jerusalem, ngjitjen në “Malin e Ullinjve” për të shijuar pamjen e qytetit të Shenjtë, vizitë në malin e Lumturimit, ku Jezusi është shpallur Sermon, por edhe shëtitje panoramike në Nazaret.

Destinacioni Kohë-qëndrimi Çmimi i turit

Dubai 5-6 ditë 1150-1195 euro/personi
Sharm El Sheik 5-7 ditë 540-1000 euro/personi
Izraeli 4-5 ditë 590- 600 euro/personi
Parisi 5-6 ditë 780- 990 euro/personi
Vjena 4-5 ditë 700- 950 euro/personi
Vjenë-Pragë 5-6 ditë 750- 940 euro/personi
Praga 2 net 490 euro/personi
Budapest-Vjenë-Bratislavë 6 ditë 790 euro/personi
Sllovenia 4 ditë 679 euro/personi
Itali-Francë-Spanjë 6 ditë 967 euro/personi
Kroacia/Dubrovniku 5 ditë 497- 778 euro/çifti
Mali i Zi/Budva 4 net 290 euro/personi
Maqedonia/Struga 3 ditë 145- 205 euro/personi
Maqedonia/Mavrovë 4-5 ditë 485-605 euro/personi

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›