E Diel, 1 Nëntor 2026

Borgjezia lituane, në Durrës me jaht

Bankierë, industrialistë dhe tregtarë lituanë, ndërsa përçojnë kulturën dhe historinë e vendit të tyre, ndalojnë në bregdetin shqiptar për të përcjellë mesazhe bashkëpunimi dhe zhvillimi për turizmin. Përveç Kroacisë, Greqisë dhe Italisë ata janë ndalur edhe në Durrës për të përcjellë një mesazh që mbështet turizmin elitar, atë të jahteve me vendin tonë. Ekuipazhi i jahtit lituan "Gold of Lithuania", në kuadër të këtij turi është takuar me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Jahti po zhvillon një lundrim në portet e Mesdheut. Pas ndalesës në Kroaci, jahti është ankoruar në Durrës e më pas do të vazhdojë në Greqi dhe Itali, ku stacionet janë ishujt e Kretës, Maltës dhe Korsikës. Ky jaht ka në bordin e tij biznesmenë lituanë të fushave të ndryshme, si industrialistë, tregtarë, bankierë etj.

Gjatë takimit, kryebashkiaku Dako ka deklaruar se kjo nismë i shërben shumë turizmit dhe bashkëpunimit kulturor midis vendeve. "Ne do të nxisim vazhdimisht bashkëpunime kulturore midis qytetit tonë dhe vendeve europiane që i shërbejnë në radhë të parë turizmit", tha kreu i bashkisë. Zgjedhjen e një jahti si mjet transporti detar, Dako e ka vlerësuar si një sinjal për atë turizëm elitar që pritet të zhvillohet në Durrës e që nxitet nga udhëtimet e këtij lloji. Menaxheri i projektit, Donatas Juskus, i përcolli përshëndetjen e kryebashkiakut të Vilnius, kryeqytetit lituan, Vilus Navickas, së bashku me një ftesë zyrtare për të vizituar kryeqytetin e Lituanisë. Lituanët bënë të ditur misionin që kishin ndërmarrë dhe që realizohet pikërisht në 1000-vjetorin e krijimit të shtetit të Lituanisë. Udhëtimi i këtij jahti përsërit rrugën e ndjekur nga fisniku i njohur lituan, Mikosaj Krzysztof Radzisis‚ që ndërmori këtë udhëtim për të shkuar si pelegrin në Tokën e Shenjtë në vitet 1583-1584. Gjatë këtij udhëtimi, ekuipazhi po regjistron edhe një film dokumentar për vendet ku kanë udhëtuar, ku padyshim një vend jo të paktë do të ketë edhe vizita në Durrësin e lashtë dhe modern.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›