E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikatat: Berisha po hakmerret, nuk e mbështetëm gjatë fushatës

Sindikatat nuk kanë ndërmend ta lëshojnë pronën e tyre, të fituar me ligj që në vitin 1992. Reagimet pas vendimit për t‘i shtetëzuar pronat, të cilat administrohen nga sindikatat, kanë qenë tepër të ashpra. Nëpërmjet komunikatave për shtyp, Konfederata e Sindikatave dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, deklaruan dje se do të luftojnë me çdo mjet ligjor që ndalon hapin e qeverisë për të shtetëzuar pronat publike. Qëndrimet e fundit të Kryeministrit Sali Berisha, ata i motivojnë me faktin e mospërfshirjes në fushatën elektorale. "Ne jemi të bindur se kjo iniciativë është hakmarrje primitive për mosmbështetje të sindikatave në fushatën zgjedhore për partitë në pushtet, megjithëse u kërkua një gjë e tillë", tha dje Kol Nokolla, kreu i Konfederatës së Sindikatave (KSSH).

Këshillimi i Ministrave mori të mërkurën në shqyrtim projektligjin për shfuqizimin e ligjit, "Për rregullimin e pasojave, që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit ‘Mbi pasuritë e sindikatave‘". Duke folur mbi këtë projektligj, Kryeministri kërkoi që të gjitha pronat e ish-bashkimeve profesionale, të cilat janë resortet turistike më të mira të vendit dhe që aktualisht nuk janë në pronësi të askujt, përveçse të shtetit, të shndërrohen në shoqëri aksionere, ku shteti është pronar. "Sindikatat e vlerësojnë këtë projektligj si një hap të rëndësishëm në kohën e duhur, për t‘u dhënë fund proceseve abuzive me pronat", tha Berisha. Por, sindikatat e kundërshtojnë këtë fakt, me pretendimin se nuk janë pyetur fare me ndryshimet në projektligj.

I gjithë debati mes sindikatave dhe qeverisë lidhet me propozimin e projektligjit "Për shfuqizimin e ligjit Nr. 8340/1, datë 06.05. 1998, ‘Për rregullimin e pasojave‘, që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit nr. 204, datë 5. 6. 1992, ‘Për pasuritë e sindikatave‘, ‘Për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë‘", vendim i cili ka hyrë në fuqi menjëherë.

Dekreti i Presidentit nr. 204, dt. 05.06.1992 ka bërë rregullimin ligjor të pronës së ish-bashkimeve profesionale, duke e kaluar atë në administrim të sindikatave si të vetmet trashëgimtare të pronave të bashkimeve profesionale ashtu siç u veprua në të gjithë Europën postkomuniste. Është dashur ndërhyrja e sindikatave dhe veçanërisht mbështetja e faktorit ndërkombëtar sindikal e politik, që Parlamenti i vitit 1998 me ligjin nr. 8340 të rregullojë pasojat që kanë rrjedhur nga dekreti dhe po në ligjin 8340/1 të njohë pasurinë e ligjshme të sindikatave, duke i bërë ato pronare njëherë e përgjithmonë. Me ligj, sindikatat kanë të drejti t‘i përdorin pronat shtetërore deri në vitin 2020.

Së shpejti, sindikatat do të ankohen pranë institucioneve ndërkombëtare homologe, si ILO dhe ICFTU, ndërsa pritet marrja e masave ligjore për parandalimin e vendimit të qeverisë.

Reagimi i shoqatës:

Jemi pronarë

të ligjshëm,

jo mashtrues

Një tjetër reagim vjen në drejtim të Kryeministrit, kësaj here nga shoqata kombëtare "Pronësi me Drejtësi", lidhur me akuzat për mashtrimet me ndarjen e tokës. Shoqata shpreh shqetësimin mbi kritikat që Berisha lëshoi ndaj tyre, duke i akuzuar si manipulatorë të dokumenteve për certifikata pronash. "Ndryshimi i qëndrimit dhe kalimi në sulm personal tregon qartazi se zoti Kryeministër vazhdon ta vlerësojë çështjen e pronave jo si një çështje themelore të së drejtës, por gjoja me përpjekjet për zgjidhjen e problemit, e komplikon më keq atë dhe në thelb e thellon konfliktin", nënvizonte njoftimi i djeshëm i shoqatës "Pronësi me Drejtësi". "Ata nuk janë pronarë, por janë një grup i përçudnuar, të cilët do të kundërshtojnë çdo nismë që merret dhe çdo përpjekje të kësaj qeverie për t‘iu afruar zgjidhjes së problemit të madh dhe e bëjnë këtë vetëm për t‘i shpëtuar sherrit familjar e për t‘u thënë se fajin e ka qeveria dhe jo ata që kanë grabitur tokën", ishte akuza e Berishës, bërë dy ditë më parë në mbledhjen e qeverisë. Anëtarët e shoqatës thanë gjithashtu se, janë pronarë të vërtetë dhe jo hajdutë. Ata kërkuan nga Kryeministri, se nëse ka fakte të publikojë emrat e individëve që kanë shkelur ligjin, duke falsifikuar dokumentet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›