E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë e Afganistanit: Duam të ndryshojmë

Fantazmat blu kanë zënë radhë që herët në mëngjes për të votuar. Ëndrra e ndryshimit duket më tërheqëse kur shihet përmes një perçeje, nën një tyl të tejdukshëm najloni të kaltër. Por me ose pa burqa, gratë e Kabulit nuk e humbasin shpresën. Në njërën dorë mbajnë fëmijën, ndërsa tjetrën e ngrenë për të treguar gishtin e ngjyrosur me blu.

"Nuk kemi frikë, duam që ky vend të ndryshojë", thotë Faëzia, e cila ka ardhur në kazermën e zjarrfikëseve pa perçe. "Të gjithë qytetarët duhet të votojnë. Nuk duhet të kenë frikë. Ky vend fatkeq duhet të ketë dikë në krye që ta drejtojë dhe të mos mendojë vetëm për fronin".

Ashtu si femrat, edhe burrat ndihen shumë krenarë. Përpara qendrës së votimit në shkollën e mesme "Qasaba", Gul Muhammad ngre dorën dhe tregon shenjën blu: "Sigurisht që votova. Doja të zgjidhja Presidentin tim, të tregoja se cili ishte i duhuri sipas meje dhe i tillë është Karzai, natyrisht". I moshuari marangoz dëshiron një të ardhme për Afganistanin. "Një të ardhme që njerëzit të mund të punojnë në paqe, si unë", shton ai. Gul është prototipi i Afganistanit që Hamid Karzai do të dëshironte dhe që do të garantohej edhe nga Perëndimi. "Reprezaljet e talebanëve? Ka shumë vite që jetojmë me kërcënime. Në Kabul janë rikthyer rreth tremijë persona për të votuar dhe për fat të mirë kanë votuar të gjithë", garanton Parëani duke tundur tespihet islamike ngjyrë turkeze që mban në dorë.

Por Gul dhe Parëani janë shumë optimistë. Para dy ditësh Kabuli kishte një pamje të turbullt, ishte boshatisur papritmas nga zgjedhjet, përgatitjet për Ramazanin dhe padyshim edhe nga kërcënimet e talebanëve. Njëzet kamikazë ishin gati për të sulmuar kryeqytetin. Mediat vendase kishin bërë të ditur se një grup terroristësh vetëvrasës do të sulmonin vendin, përleshje e cila u shndërrua në një lumë gjaku. Viktimat ishin katër aspirantë martirë, tre të vrarë nga policia afgane, para se terroristët të shpërthenin bombat e tyre, dhe një i arrestuar. Në fund të ditës, numri i viktimave në Afganistan kishte arritur në 20 në të gjithë vendin. Por, pavarësisht këtyre reprezaljeve, afganët nuk e kanë pritur me entuziazëm apelin për të votuar. Autoritetet lokale flasin për një pjesëmarrje të vogël të qytetarëve në votime, më pak se 50 për qind, rreth 37-45 për qind. Nëse votimet arrijnë përqindje më të lartë, atëherë rezultati do të jetë zhgënjyes për Hamid Karzai.

Ndërsa pret ulur në një qendër votimi, inxhinieri Ruhollah nuk e fsheh zhgënjimin e tij: "Nuk besoj se përqindja do të rritet. Këtu kanë votuar vetëm tridhjetenjë persona. Jam i bindur që shumë të tjerë nuk kanë votuar nga frika". Ndërsa një i afërmi i tij përpiqet t‘i shohë me optimizëm këto zgjedhje. "Në fakt nuk duhet të flasim para kohe, sepse ka shumë qendra votimi". Por gjashtëmijë qendra votimi nuk janë shumë për 17 milionë banorë.

Ndryshe nga 2004-tra, ajo që i ka zbrazur kutitë e votimit këtë vit, më shumë se sa frika e atentateve, është zhgënjimi i afganëve. Në fund të ditës, Presidenti e injoroi faktin e pjesëmarrjes së vogël të qytetarëve në votime, duke thënë se zgjedhjet e këtij viti ishin të suksesshme.

"Jemi të lodhur nga Karzai, sepse nuk ka bërë asgjë për vendin", thotë një qytetare dhe ngre dorën për të treguar gishtat që i ka krejtësisht të pastra.

Detaj

Një afgane tregon letërnjoftimin, pasi ka votuar në një qendër votimi në Kabul

Som

"Reprezaljet e luftëtarëve? Ka shumë vite që jetojmë me kërcënime"

"Ky vend fatkeq duhet të ketë dikë në krye që të kujdeset për të, dhe jo për postin"

Intervista

Flet Habiba Sarabi, guvernatorja e vetme e vendit

"Afganet kërkojnë të drejta dhe janë gati të rrezikojnë për t‘i pasur"

Guvernatore e provincës së Bamyan, Habiba Sarabi është e vetmja grua që ka një post kaq të rëndësishëm në Afganistan. Komuniteti ndërkombëtar e ka zgjedhur në emër të vendit të ri që të gjithë do të dëshironin të lindte: i hapur dhe në shërbim të qytetarëve. Qëllimi është eliminimin e talebanëve. Habiba thotë se dëshiron ta bëjë Afganistanin një vend më të mirë, sidomos për femrat.

Guvernatore, shumë qytetarë i janë përgjigjur apelit për të votuar, duke sfiduar frikën dhe kërcënimet. Çdo të thotë kjo sipas jush?

Që duan demokracinë dhe janë gati ta mbështesin. Femrat përbëjnë gjysmën e popullsisë afgane dhe pa to këto votime nuk do të kishin kuptim. Nuk mund të kërkojnë të drejta dhe progres nëse nuk shkojnë për të votuar. Këtu në Bamyan, pjesëmarrja në votime e femrave ka qenë e lartë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kabulin. Për fat të keq ka zona, si për shembull si Jugu, ku kjo gjë nuk ka qenë e mundur.

Dhuna gjatë javëve të fundit ka qenë shumë e fortë. Është shenjë e forcës apo e dëshpërimit të talebanëve?

Do të ketë gjithmonë persona të cilët nuk do ta duan stabilitetin dhe barazinë e të drejtave në këtë vend. Por njerëzit nuk i përkrahin, prandaj votojnë. Afganët e kanë kuptuar se duhet të na mbështesin ne, por do të na duhet edhe ndihma e komuniteteve ndërkombëtare për t‘ia dalë mbanë. Për sa i përket rezultateve, pres që vendet e huaja të punojnë seriozisht me Presidentin e ri, cilido të zgjidhet. Dhe nëse do të pyesnit se përse gjërat nuk kanë funksionuar deri tani, unë do t‘u thosha se ky është një vend i vështirë dhe kërkon shumë punë për t‘ia arritur qëllimit. Punët nuk mund të lihen përgjysmë.

Prisni femra të tjera në pozicionin tuaj?

Jam e kënaqur me pjesëmarrjen e tyre në fushatën elektorale dhe ditën e votimit. Të tjerat do t‘ia lëmë kohës. Presidenti i ardhshëm, cilido qoftë ai, duhet të garantojë para së gjithash sigurinë, sepse pa të nuk ka të drejta, mundësi për femrat dhe qytetarët e tjerë.

Presidenti Karzai, që ka gjasa të jetë fitues, ka bërë aleancë me disa ish-zotë të luftës. A ju ngjall frikë kjo?

Po, jam e shqetësuar, sepse i njoh veprat e tyre dhe dëmet që kanë shkaktuar. Por cilido nga kandidatët që do të zgjidhet President, duhet të mendojë për barazinë e të drejtave mes meshkujve dhe femrave. Kjo është ajo që vlen për mua tani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›