Mbyllet misioni i katërt i kërkimeve arkeologjike në Hadrianopolis
Përfundon misioni i katërt i kërkimeve arkeologjike në Hadrianopolis dhe në luginën e Drinos i drejtuar nga prof. Roberto Perna prej Universitetit të Maçeratës dhe prof. Dhimitër Çondi, i Institutit Arkeologjik në Tiranë. Misioni i përbashkët nisi nga puna më 27 korrik, por kërkimet në kuadër të hartës arkeologjike kanë nisur që në muajin maj, ku arkeologët italianë, në bashkëpunim me arkeologun e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Vladimir Qirjaqi, kanë punuar në funksion të realizimit të hartës arkeologjike të luginës së Drinos. Në kërkime këtë vit, përveç studentëve të Universitetit të Maçeratës morën pjesë edhe studentë të Universitetit të Kamerinos (Itali) dhe Oxford (Angli). Rreth 18 arkeologë, restauratorë, gjeoarkeologë dhe historianë italianë u angazhuan këtë vit në kërkime dhe studime.
Objektivi kryesor i kërkimeve të sapopërfunduara ka qenë thellimi i gërmimeve dhe studimeve të nisura në vitin 2008 në qytetin romak të Hadrianopolit, ku tashmë njihet edhe perimetri i shtrirjes së tij. Për këtë motiv janë thelluar kërkimet në brendësi të disa objekteve publike, duke nxjerrë në dritë struktura monumentale të lidhura me ambiente që kanë pasur funksione termale. Në të njëjtën kohë kanë vazhduar kërkimet në zonën publike midis objektit të lartpërmendur dhe teatrit, ku janë gjetur objekte monumentale të periudhës bizantine, të cilat mendohet të jenë të karakterit kulturor dhe që në një periudhë me të vonë janë vendosur në një zonë që deri në atë moment ishte e lirë. Kërkimet vazhduan edhe brenda në teatër, ku janë zbuluar disa struktura të vona, që lidhen me transformimet që pësoi objekti i shfaqjeve në periudhën bizantine. Gjithashtu në teatër përfunduan edhe rilevimet që do të jenë në funksion të një projekti restaurimi në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë dhe me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Gjirokastër. Edhe në Nekropol filloi këtë vit gërmimi arkeologjik, duke bashkëpunuar edhe me Komunën e Dropullit të Poshtëm (Sofratikë). Janë zbuluar deri tani 6 varre, të cilat ndihmuan për të përcaktuar më mirë karakteristikat e këtyre monumenteve të veçanta, si edhe topografinë e nekropolit që shtrihet në një zonë shumë të madhe. Materialet arkeologjike të zbuluara janë përpunuar në laboratorin e ngritur pranë qendrës së misionit në Gjirokastër. Ato janë kataloguar, studiuar dhe shpresohet që një ditë të ekspozohen në një muze arkeologjik të luginës së Drinos. Kërkimet arkeologjike janë pjesë e projektit Archadrin, objektivi kryesor i të cilit është zhvillimi i qëndrueshëm i territorit shqiptar nëpërmjet njohjes, mbrojtjes dhe vlerësimit të pasurisë arkeologjike të qytetit romak Hadrianopolis dhe të luginës së Drinos.