Borxhi, PS: Qeveria të paguajë punën e kompanive
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, u shpreh në Komisionin e Ekonomisë se qeveria duhet të jetë realiste në planifikimet që bën, në mënyrë që të mos bëjë shkurtime të menjëhershme që dëmtojnë biznesin për të mbajtur nën kontroll deficitin. Malaj hodhi dyshime përmes pyetjeve të tij se sa e sigurt është qeveria për projektbuxhetin e 2012-s që ka sjellë për votim dhe sa siguri ka që ky buxhet nuk do të ketë fatin e buxhetit të 2011-s që iu nënshtrua shkurtimeve që në muajin e parë. Deputeti i Partisë Socialiste theksoi se shkurtimi i investimeve ka ndikuar direkt negativisht tek marrëdhënia e biznesit me sektorin bankar, duke rikthyer edhe një herë vëmendjen tek pamundësia për të shlyer kreditë e mara. Një tjetër deputet opozitar, që ngriti problemin e faturave që shteti i detyrohet biznesit, ishte edhe Erion Barçe. Sipas tij, në disa raste projektet kanë përfunduar dhe janë inauguruar, por nga Ministra e Financave vazhdohen të shlyhen fatura. Pashë pak listën e objekteve që do të investohen në buxhet dhe në zonën time identifikova nja katër që janë përfunduar, u shpreh Braçe, duke kërkuar që të jepet një shifër e saktë e parave që do të shkojnë si fatura shlyerjeje e investimeve të përfunduara tashmë.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Dorian Teliti, ishte dhe ai që shpjegoi pikëpyetjet e deputetit Braçe, duke argumentuar se nga ana e ministrisë për çdo projekt në fillim të vitit çelet një fond dhe nëse kompanitë punojnë më shumë sesa parashikon fondi, shlyerja bëhet në vitin pasardhës. E vërteta është kjo që, nëse ne çelim në fillim të vitit një vlerë të caktuar në nivel projekti, Ministria e Financave gjithmonë e ka respektuar atë. MF nuk mban përgjegjësi nëse punimet e një objekti ecin më shumë sesa plani që ne kemi përcaktuar për vitin. Ne bëjmë çelje vjetore projekti, qoftë ajo zyrë apo rrugë nacionale. Këto dy vitet e fundit kemi pasur rishikim të investimeve me ulje në krahasim me planin fillestar, e them dhe e mbroj, sepse rishikimi nuk është bërë për projektet në vazhdim, por për të rejat, u shpreh Teliti. Lidhur me investimet, nga ana e opozitës u kërkuan më shumë detaje për investimin më të rëndësishëm të vitit të ardhshëm, që do të jetë Kuvendi i ri. Deputeti Braçe ironizoi nëse paratë e planifikuara do të jenë për prishjen e godinës apo për ngritjen e godinës së Parlamentit.
Janë për ndërtimin e Kompleksit të ri. Nga administrata e Parlamentit kemi marrë kërkesën për ndërtimin e Kompleksit të ri parlamentar. Ne për vitin 2012 parashikojmë të financojmë 500 milionë lekë, u shpreh përfaqësuesi i financave lidhur me këtë pikë.
Debati ne Komision
Mimi Kodheli: Keni pasur si prioritet shëndetësinë dhe arsimin. Dy sektorë prioritarë me probleme shumë të mëdha, ndërkohë që sipas relacionit tuaj të buxhetit 2012, i cili që të jem e sinqertë më rezulton me gabime të jashtëzakonshme, diku thoni që shpenzimet për shëndetësinë do të jenë 2.2, pastaj 0.9. Diku thoni që shpenzimet për arsimin do të jenë 3 dhe pastaj e zbrisni në 2 pikë ca. Përtej kësaj, për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2011 qeveria do të shpenzojë 2.2 lekë për çdo 100 lekë GDP. Për vitin 2012, këta lekë do të jenë 2.09 lekë. Pra, jemi absolutisht larg pretendimeve të qeverisë që niveli i shpenzimeve për arsimin dhe shëndetësinë do të jenë 4-5 për qind e GDP-së. Për arsimin, për vitin 2011 do shpenzohen 3 lekë për 100 lekë GDP, ndërsa për vitin 2012 2.8 lekë. Pra, kemi një rënie të parave që qeveria do të harxhojë për arsimin. Pyetja ime është pse ka një ulje të shpenzimeve për këta sektorë.
Dorian Teliti (Ministria e Financave): Si përket sektorit të arsimit dhe shëndetësisë. Në raport kemi thënë që është 3.2 për qind për arsimin, sepse aty përfshihen edhe shpenzime të pushtetit vendor për arsimin. Njëkohësisht aty përfshihet dhe rritja e pagave që do të ketë arsimi. Për shëndetësinë rrimë në të njëjtat nivele, 2.6-2.7 për qind.
Mimi Kodheli: Niveli i shpenzimeve për ISSH-në. Sipas relacionit tuaj, thuhet që parashikohet të rritet nga 85.1 miliardë në 89.8 miliardë në buxhetin e 2012-s. Pyetja ime është sa është rritja në bazë vjetore, sa është inflacioni, pra sa është rritja reale, sepse pretendohet që jeni duke rritur shpenzimet me ISSH-në dhe, duke marrë parasysh këto elemente, më del që nuk rrisni asgjë, përveçse bëni indeksim.
Mimoza Dhëmbi (Financat): Fondi i ISSH është një fond që rritet në përpjesëtime të larta. Rreth 5 miliardë lekë në vit rritet vit pas viti, për shkak të mbartjes së pensioneve për një vit të plotë. Po të llogarisësh buxhetin e pritshëm të 2011-s me atë të 2012-s, buxheti i fundit në politika pasive pa asnjë rritje është 4 për qind. Përveç kësaj, ke dhe një fond kontingjence për rritjen e pensioneve, që është një rritje diçka më shumë se inflacioni, rreth 5 për qind.
Mimi Kodheli: Në shpenzimet kapitale të trupëzuara të lidhura me institucionin e Kuvendit të Shqipërisë, faqe 14 tabela 5, keni një shumë prej 521 milionë lekësh. Dua të di për çfarë do të shpenzohen këto para.
Dorian Teliti: Bëhet fjalë për godinën e Parlamentit të ri. Janë planifikuar 521 milionë lekë. Prandaj dhe tek planifikimi i 2012-s, pjesën dërrmuese të investimeve e zë godina e Parlamentit.
Erion Braçe: Këta 500 milionë janë për ndërtimin e godinës apo për prishjen e godinës.
Dorian Teliti: Janë për ndërtimin e kompleksit të ri. Nga administrata e Parlamentit kemi marrë kërkesën për ndërtimin e kompleksit të ri Parlamentar. Ne për vitin 2012 parashikojmë të financojmë 500 milionë lekë.
Edmond Spaho: Mund të ketë burime të tjera financimi. Përgjigjja është fare e qartë, do jepen 500 milionë.
Arben Malaj: Në bazë të buxhetit të miratuar në dhjetor të vitit të kaluar dhe në bazë të pritshmërive tuaja, rezulton se ka një diferencë në të ardhura me 33 miliardë lekë. Nga ana tjetër, qeveri deklaron se do të ruajë deficitin. Në kushtet kur ka një rënie kaq të madhe të të ardhurave, në raport me ligjin e miratuar nga ky Parlament cilat janë burimet reale të ruajtjes së deficitit? Sa pjesë vijnë nga mosrealizimi i shpenzimeve operative dhe sa nga mosrealizimi i investimeve? Në rast të kundërt, nuk mund të ketë tejkalim të detyrës për të ruajtur deficitin kur ka humbje të mëdha në të ardhura. E dyta, në raport me vitin 2012, sipas të pritshmit që ju na keni dhënë, mendohet që opsioni është që të ardhurat të jenë 329 miliardë lekë, kur faktiku i vitit 2010, pra krahasimi i vitit 2011 me vitin 2010 është vetëm 5 miliardë më shumë. Në buxhetin e vitit 2012 ju parashikoni që të ardhurat në raport me të pritshmin e vitit 2011 do jenë 26 miliardë lekë më shumë. Pra, është 5 herë më shumë sesa faktiku i dy viteve të mëparshme. Nga ana tjetër, pranoni jo me shifra, por me analizë faktorësh, që risqet mbi rritjen ekonomike do të rriten për shkak të krizës së rajonit. Cili është skenari nëse do të kemi të njëjtën shkallë të realizimeve faktike dhe jo teorike, sepse me sa shoh, dhe fondet e kontingjencës në krahasim me më parë janë më pak? A rrezikohemi që menjëherë sapo të miratojmë këtë buxhet menjëherë ta bllokoni? Dhe e treta, sa është ndërgjegjësuar qeveria që mbajtja nën kontroll e deficitit nga moskryerja e pagesave për shkak se ka mosrealizim të të ardhurave ka dëmtuar marrëdhënien me biznesin, ka sjellë impakt negative në ekonomi dhe në përkeqësimin e marrëdhënieve biznes dhe sistem bankar?
Dorian Teliti: Ulja e deficitit në masën 3 për qind për vitin 2012 tregon maturi. Investimet për punë të kryera. Realisht Ministria e Financave kur bën planin e investimeve, e bën zë më zë, projekt për projekt. Lista e paraqitur nga ju nuk është thjesht një produkt i Ministr