Ndotja e ajrit, 500 vdekje në vit nga mushkëritë
OBSH jep alarmin: Ajri në Tiranë, 4 herë më i ndotur se normat e BE. Çdo vit shtohen mbi 1400 pacientë me kancer, ndërkohë që në rritje janë dhe sëmundjet kardiovaskulare
Tirana vazhdon të mbetet qyteti me ajrin më të ndotur në Europë, duke ua shkurtuar me dy vite jetën banorëve të saj. Madje, jo vetëm kaq, por ndotja e ajrit ka sjellë një rritje dramatike të sëmundjes së kancerit, mushkërive dhe atyre kardiovaskulare në vend. Konstatimi jepet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila ka ripërsëritur shqetësimin e saj se në Shqipëri, e veçanërisht në Tiranë, nivelet e ndotjes së ajrit janë disa herë më shumë se normat e lejuara të Bashkimit Europian. Në studimin më të fundit të OBSH dhe Institutit të Shëndetit Publik, në Tiranë grimcat e pluhurit në ajër janë 3-4 herë më shumë se norma e Bashkimit Europian. Sipas ekspertit të OBSH, Mihal Krizanovski, si pasojë e ndotjes së ajrit, në Shqipëri vdesin çdo vit nga sëmundjet e rënda të mushkërive 500 persona. Specialistët pohojnë se çdo vit shtohen mbi 1400 pacientë me kancer, ndërkohë që në rritje janë dhe sëmundjet kardiovaskulare. Në këto kushte, OBSH ka kërkuar nga institucionet shqiptare të marrin masa urgjente për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Tiranë e qytetet e mëdha, pasi po vihet re një rritje e sëmundshmërisë, sidomos e kancereve në mushkëri. Të dhënat janë publikuar dje gjatë një tryeze të organizuar nga OBSH-ja, me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë së Tiranës. “Nga të gjitha qytetet që ne kemi të dhëna, Tirana është ndër më të ndoturit në Europë. Kjo ndotje po shkakton dëmtime të rënda të shëndetit të qytetarëve. Rreth 500 vdekje po shtohen në vit, dhe kjo zë afërsisht 13% të numrit të përgjithshëm të vdekjeve. Situata është emergjente dhe duhen marrë masa konkrete”, - deklaroi përfaqësuesi i OBSH-së. Pasi janë bërë matjet në çdo cep të qytetit, OBSH-ja kërkon nga pushteti lokal dhe ai qendror të marrin masat për të shpëtuar nga një katastrofë ekologjike, që tashmë po e thithim me ajër çdo ditë. Zv.ministri i Mjedisit, Taulant Bino, ka pranuar se moszbatimi i planit të veprimit ka ardhur si pasojë e politizimit të këtij problemi. Sipas tij, nuk bëhet fjalë vetëm për bashkëpunim me pushtetin vendor, por dhe për bashkëpunim ndërministror, si Ministria e Transportit dhe e Ekonomisë dhe Energjetikës. Kështu, Bashkia e Tiranës duhet të jetë më e rregullt në mbledhjen e mbeturinave, pastrimin e rrugëve, shtimin e gjelbërimit apo disiplinimin e trafikut. Ministria e Transporteve duhet të nxisë përdorimin e makinave të reja. Në takimin me specialistë të shëndetit publik dhe të mjedisit u hodh ideja e ngritjes së një grupi pune ndërinstitucional për përmirësimin e cilësisë së tij. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, përkeqësimi i parametrave të ajrit ka ndikuar në përkeqësimin e parametrave të shëndetit të ¼ së popullatës në vend. Ministri Vasili u ka bërë ftesë të gjithë aktorëve publikë për t’u angazhuar në çështjet e mjedisit, sepse vetëm duke përmirësuar cilësinë e ajrit dëmet shëndetësore pasuese do të jenë më të pakta.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, më shumë se 1400 raste kanceri janë të lidhura drejtpërsëdrejti me rritjen e shkallës së ndotjes në ajër.
Kanceri i mushkërive në Shqipëri në vite
Viti Vdekjet Niveli Mortaliteti i moshës
1987 374 23.61 35.27
1988 414 25.62 37.66
1989 367 22.41 32.86
1992 331 20.82 27.40
1993 313 19.99 25.11
1994 276 17.40 21.43
1995 432 26.87 33.00
1996 473 29.12 35.25
1997 485 29.78 36.57
1998 481 29.16 35.58
1999 488 29.36 36.18
2000 452 28.39 35.09
2001 411 26.85 27.04
2002 459 29.85 29.45
2003 507 32.78 32.05
Prirjet e kancerit të gjirit në Shqipëri
Viti Vdekjet Niveli Mortaliteti i moshës
1987 71 4.76 5.58
1988 58 3.81 4.72
1989 70 4.53 5.33
1992 72 4.5 5.16
1993 66 4.12 4.62
1994 63 3.9 4.56
1995 86 5.24 5.54
1996 92 5.55 6.07
1997 82 4.84 5.24
1998 95 5.57 6.03
1999 130 7.6 8.4
2000 119 7.82 8.52
2001 102 6.63 6.44
2002 105 6.79 6.47
2003 138 8.87 8.39
“21 Dhjetori”, zona më e ndotur në të gjithë vendin
Kryqëzimi i “21 Dhjetorit” është pika më e ndotur e Tiranës dhe e të gjithë vendit. Në këtë zonë, normat europiane kalohen deri me 10 herë. Sipas studimit të OBSH, zonat me ndotjen më të lartë në Tiranë janë: “21 Dhjetori”, Rruga e Elbasanit dhe Zogu i Zi. Mbi 80 për qind e automjeteve kanë motor diezel që nxjerrin squfur. Por, përveç makinave, ndotjen e shton dhe pluhuri i rrugës, pasi janë zona të tëra në ndërtim. Një tjetër arsye është mosmbledhja në kohë e mbeturinave urbane, apo djegia e tyre. Të gjitha këto kanë bërë që treguesit e ndotjes të mos kenë asnjë përmirësim gjatë dekadës së fundit, përkundrazi, çdo vit shifrat përkeqësohen më tej.