E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seks që 13 vjeç, fushatë kundër HIV/AIDS në shkolla

Adoleshentët do të kenë mundësi të marrin leksione online mbi rrezikun që u vjen si pasojë e marrëdhënieve të hershme seksuale apo lidhjes me shumë partnerë

Ulja e moshës së kryerjes së marrëdhënieve seksuale te adoleshentët ka bërë që autoritetet e arsimit dhe ato të shëndetësisë të nisin një fushatë sensibilizuese 1-vjeçare, që do të mbështetet nga Kombet e Bashkuara. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, vajzat shqiptare e nisin jetën seksuale që në moshën 13-vjeçare, madje ka disa raste që kjo ndodh edhe më herët. Por ulja e moshës së marrëdhënieve seksuale shoqërohet me një rrezik të madh për të rinjtë, që është ekspozimi përballë sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, siç janë HIV/AIDS. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit, ajo e Shëndetësisë dhe PNUD do të nisin një fushatë intensive në shkolla për 2 arsye: për t’u thënë adoleshentëve të mos i nisin kontaktet seksuale aq herët dhe në anën tjetër të përdorin kontraceptivë. Ndërgjegjësimi do të bëhet nëpërmjet spoteve vizuale dhe kartave, të cilat nga skanimi i kodit në celuar do të përcjellin mesazhe sensibilizuese për masat mbrojtëse përpara nisjes së kontaktit seksual. Falë këtij projekti, gjimnazistët do të kenë mundësi të marrin leksione online mbi rrezikun që u vjen si pasojë e marrëdhënieve të hershme seksuale apo sjelljeve të lira, lidhjes me shumë partnerë. Specialistët e Shëndetit Publik thonë se nga aplikimi online i një programi që do të ofrohet falas, të rinjtë mund t’i lexojnë informacionet përmes celularit. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha në fjalën e tij se fushata do të synojë parandalimin e shtatzënive të padëshiruara, por sidomos infeksioneve të rënda seksuale, si sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe HIV/AIDS. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, në Shqipëri vetëm 4 për qind e meshkujve përdorin masa mbrojtëse gjatë marrëdhënieve seksuale. Ndërsa mosha e marrëdhënieve seksuale te të rinjtë është ulur, çka e bën më të rrezikshme sëmundshmërine prej tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›