E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi grek, Rehn: KE në favor të zgjidhjes gjermane

FRANKFURT- Komisioni Evropian po përpiqet për një projektmarrëveshje sipas të cilës bankat do të mund t'i zgjasin me bazë vullnetare kreditë e tyre për Greqinë, një zgjidhje e shprehur nga Gjermania, bëri të ditur komisioneri evropian Olli Rehn në një intervistë.

"Nuk jemi larg një zgjidhjeje të përbashkët të menduar nga disa vende", shpjegoi komisioneri evropian për Çështjet Ekonomike në një intervistë publikuar sot në të përditshmen gjermane.

"Disa vende evropiane bashkohen me qëndrimin gjerman, të tjerë jo", tha ai. "Po përgatitemi për një marrëveshje mbi bazën e iniciativës së Vjenës, sipas të cilës bankat e zgjasin kohën e huave të tyre dhe kjo në mënyrë vullnetare", shtoi Rehn.

Janë disa opsionet që po diskutohen aktualisht në Evropë për ta ndihmuar Greqinë në shlyerjen e borxheve. Shtete si Gjermania kanë propozuar zgjatjen e afatit të rimbursimit të borxhit grek. Por, për disa analistë, një masë e tillë do të rrezikonte të interpretohej nga agjencitë e vlerësimit të borxhit si një situatë ku nuk ekziston mundësia e shlyerjes së pagesave.

Ministrat e Ekonomisë së zonës euro pritet të mblidhen sot në Bruksel për të diskutuar lidhur me një plan të ri ndihme për Greqinë, vlerësimi i të cilës për borxhin afatgjatë është ulur dje me tri shkallë nga agjencia Standard & Poor's.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›