E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi i brendshëm i qeverisë, rriten interesat për 2011-n

Rritje të normave të interesit ka pësuar edhe borxhi i brendshëm i qeverisë, nëpërmjet emetimeve me bono thesari. Mirëpo ecuria e interesave për bonot e thesarit ka qenë relativisht e luhatshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, pas prirjes rënëse në vitin e kaluar, ato kanë shfaqur rritje në gjysmën e parë të vitit 2011. Në tremujorin e parë, rritja e interesave ka reflektuar kryesisht kërkesën më të lartë të qeverisë në ankandet e tregut primar. Më tej, në muajin prill interesat, veçanërisht ato për maturitetin e shkurtër, reflektuan edhe ndryshimin e normës bazë dhe u stabilizuan në nivelet e reja gjatë muajit maj. Në qershor, me rritjen e emetimeve në ankandet e bonove të thesarit, ky tregues u rrit përsëri për t’u stabilizuar në fillim të korrikut. Niveli i kërkesës së pjesëmarrësve në ankande ka qenë i lartë. Kështu në fund të tremujorit të dytë interesi mesatar për bonot e thesarit 12-mujore arriti në 7.65% ose 0.30 pikë përqindjeje më lart nga fundi i tremujorit të parë. Ndryshimi është pothuajse i njëjtë dhe për afatin e shkurtër 3-mujor, duke sjellë zhvendosje të kurbës së interesave. Krahasuar me një vit më parë, ky tregues paraqet nivele më të ulëta dhe pjerrësia e kurbës është sheshuar. Ndërsa interesat e obligacioneve kanë ndjekur të njëjtën prirje rritjeje me atë të bonove të thesarit, por me marzhe ndryshimi më të larta. Krahas rritjes së interesit referencë për obligacionet, përcaktimi i interesit ka faktorizuar dhe konkurrencën më të ulët në këtë treg. Në fund të tremujorit të dytë, interesi për obligacionet 2-vjeçare është 8.40%, duke regjistruar një rritje prej 0.55 pikë përqindjeje nga fundi i tremujorit të kaluar. Ai për obligacionet 3-vjeçare shënoi 9.21% në fillim të korrikut, pothuajse i njëjtë me atë të prillit dhe 0.31 pikë përqindjeje më lart nga ankandi i muajit janar

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›