E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interesat në banka, kreditë në rritje, depozitat në rënie

Një hulumtim i fundit nga Banka e Shqipërisë në lidhje me ecurinë e normave të interesit të lekut dhe valutës në sistemin bankar shqiptar, vihet re se interesat e kredive janë në rritje, ndërsa interesat e kursimeve kanë një tendencë rënëse.

Depozitat

Pas rikthimit të parave në banka që prej tronditjes së krizës së vitit 2008, tendenca e interesave ka vijuar të ketë një prirje rënëse edhe përgjatë këtij viti. Këto norma u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2009 dhe qëndruan në ato nivele me qëllim ruajtjen e pozicionimit në treg të bankave. Në gjysmën e dytë të vitit 2010 dhe në tremujorin e parë të 2011-ës, interesat për depozitat e reja u reduktuan. Kjo prirje ndryshoi lehtë në muajt prill - maj, kur sistemi bankar ka regjistruar rritje të interesit të depozitave në të dyja monedhat kryesore. Rënia e normës së ponderuar të interesit ka qenë e njëpasnjëshme deri në muajin mars, më pas ajo ka filluar të rritet në muajt prill – maj, por me ritme të lehta. Norma mesatare e ponderuar e interesit për depozitat në lekë, në muajt prill - maj shënoi 4.59% ose 0.22 pikë përqindjeje nën mesataren e tremujorit të parë të vitit 2011. Kjo, pasi në muajt janar - shkurt depozitat regjistruan norma të larta interesi, si pasojë të ofertave të fundvitit, të cilat zgjatën deri në muajin shkurt dhe flukseve të reja hyrëse në depozitat afatgjata me normë më të lartë interesi. Interesi për depozitat 3-mujore u ul me vetëm 0.03 pikë përqindjeje tremujor mbi tremujor, ndërkohë që depozitat 6- dhe 12-mujore u ulën me 0.05 dhe 0.01 pikë përqindjeje .Interesat për depozitat me afat në euro gjatë muajve prill - maj kanë ndjekur të njëjtën dinamikë si ato në monedhë vendase. Interesi mesatar i ponderuar për depozitat e reja në euro këta dy muaj ka shënuar 2.23%, 0.08 pikë përqindjeje më lartë se mesatarja e tremujorit të parë të vitit 2011. Sipas afateve, interesat për depozitat 1-, 6- dhe 12- mujore janë rritur respektivisht me 0.27, 0.22 dhe 0.14 pikë përqindjeje vetëm në muajin maj. Niveli i lartë i konkurrencës nga ato banka të cilat përdorin interesat e depozitave në monedhë evropiane, si kosto fondesh, si dhe rritja e interesave në tregun europian, ka bërë që edhe bankat të vijojnë me norma të larta për depozitat në euro. Pavarësisht rritjes së lehtë të interesave në këtë periudhë, mesatarja e interesit të depozitave si për monedhën vendase si për lekun është 2 për qind më e ulët se në vitin 2009.

Kreditë

Interesat për kreditë e reja në lekë janë karakterizuar nga qëndrueshmëri pranë niveleve 11.93% sipas kalkulimeve të Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, kreditimi në euro ka shënuar rritje të lehta të mesatares së interesave në këtë periudhë. Normat mesatare të interesit të kredive vazhdojnë të ndikohen kryesisht nga diversifikimi në ofertat dhe në kushtet speciale të disa bankave të sistemit për klientë të veçantë, në të dyja monedhat kryesore. Gjithashtu, rritja e normave referencë dhe rreziku i kursit të këmbimit kanë qenë faktorët që vazhdojnë të ndikojnë në mbajtjen e marzheve të larta për kreditë në euro. Gjithashtu Banka e Shqipërisë cilëson se normat e interesit për kreditë në euro janë rritur lehtësisht dhe në muajt prill – maj. Ato regjistruan vlerën mesatare 7.36% ose 0.15 pikë përqindjeje mbi mesataren e tremujorit të parë të vitit 2011. Kjo prirje është mbështetur nga normat referencë që vazhdojnë të rriten. Në afatin e gjatë mbi 5vjet, kryesisht për pasuri të paluajtshme, bankat vazhdojnë të jenë konservatore me çmimin e kredive të reja në valutë. Norma e interesit për këto kredi u ul mesatarisht 0.08 pikë përqindjeje në muajt prill-maj, krahasuar me një tremujor më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›