E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, shkrihen dy banka në Greqi

Frika për fatin e kredive të këqija dhe aksioneve të pasigurta, si dhe zhvlerësimi i kapitalit të tyre në bursë, kanë sjellë në Greqi krijimin e një grupi gjigant bankar që lind nga shkrirja e dy prej bankave private të vendit, Alpha Bank dhe Euro Bank. Marrëveshja, që pritet të zyrtarizohet në mëngjesin e së hënës para hapjes së bursës, përbën lëvizjen më të madhe që është bërë ndonjëherë në sektorin bankar në Greqi, në kuadrin e frikës së shumë prej bankave, nga mungesa e likuiditetit, do t’i drejtohen Arkës së Stabilitetit të Kreditimit, që nënkupton shtetëzimin e tyre. Të dyja bankat në fjalë kanë parë aksionet e tyre të premten të bien në nivelet më të ulëta nga krijimi i tyre, por shpresojnë që ky bashkim të sjellë ndryshime rrënjësore në bursën greke. Partner i bankës së re, emri i së cilës ende nuk dihet, është edhe shteti i Katarit, i cili ka derdhur në fondin e ri të paktën 2 miliardë euro dhe kapitale të tjera investuese. Grupi i ri bankar do të jetë më i madhi në Europën Juglindore dhe një prej 25 më të mëdhenjve të Europës, do të ketë kapitale aktive mbi 150 miliardë euro, 80 miliardë depozita, 8 milionë klientë dhe 2000 degë bankare në 10 vende, midis tyre dhe Shqipëria. Përsa i përket depozitave, ekonomistët thonë se ato bëhen akoma më të sigurta nga ky bashkim. Shkrirjen e dy bankave greke e sheh me sy pozitiv edhe qeveria greke, që pret lëvizje të ngjashme në sektorin bankar që është çelësi kryesor i daljes nga kriza e thellë ekonomike që po kalon vendi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›