E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi ndaj Italisë do konvertohet, firmoset marrëveshja

TIRANE- Ministria e Financave nënshkroi sot marrëveshjen për konvertimin e një pjese të borxhit me Italinë.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Financave, Ridvan Bode dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D’Eelia, dhe i hap rrugë Programit të konvertimit të një pjese të borxhit që vendi ynë ka ndaj Italisë. Kjo është parashikuar në Protokollin e bashkëpunimit dypalësh.

Marrëveshja parashikon arkëtimin e borxhit që ne i kemi Italisë deri në vlerë 20 mln euro në një llogari të posaçme që do të hapet pranë Bankës së Shqipërisë dhe ky fond do të përdoret për financimin e projekteve të ndryshme në Shqipëri, që kanë të bëjnë me arsimin dhe shëndetësinë.

Ministri i Financave Bode, tha se shërbimi i borxhit (principal + interes) deri ne shumën 20 milionë euro, për disa kredi të akorduara nga qeveria italiane, nuk do t'i paguhen kësaj të fundit por do të depozitohen në një llogari Fondi Kundërparti (CPF).

Referuar marrëveshjes, pagesat në këtë fond do të bëhen në njëmbëdhjetë këste. Secili këst konvertohet në lek, sipas kursit të këmbimit kuotuar nga Banka e Shqipërisë në datën e depozitimit të këstit. Kësti i parë që do të ketë vlerën 500,000 euro, do të depozitohet në CPF brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes. Dhjetë këstet e tjera pasuese gjysmë-vjetore, secili me vlerën prej 1.95 milionë euro, do të depozitohen më çdo 31 tetor dhe 30 prill të viteve në vijim. Fondi i grumbulluar në këtë mënyre do të përdoret për realizimin e projekteve për zhvillim që do të identifikohen bashkërisht nga te dy palët dhe që do të jenë të fokusuara në fushat e arsimit, shëndetit dhe gjenerimit punësimit.

Për realizimin e këtij programi në mbështetje të politikave të zhvillimit social, do të funksionojë një Komitet i përbashkët Menaxherial, i cili do të përbëhet nga ministri i Financave ose përfaqësuesi i tij, i asistuar nga përfaqësuesit e Departamentit të Strategjisë dhe Bashkërendimit të Donatorëve pranë Këshillit të Ministrave dhe Ministri të tjera përkatëse; ambasadori italian në Shqipëri ose përfaqësuesi i tij, i asistuar nga anëtarët e Zyrës Italiane të Bashkëpunimit dhe/ose MFA-DGDC.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›