E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi publik, Malaj propozon pakt politik

SHKRUAN: Sabina Veizaj 10-11-2011 11:25

Buxheti i 2012-ës ka kaluar dje me debate në komisionin kuvendor të Ekonomisë dhe Financave. Borxhi publik, deficiti buxhetor dhe sistemi fiskal ishin tri çështjet e nxehta dhe fërkimet mes ministrit Bode dhe deputetit socialist Arben Malaj

Një pakt politik për të mbajtur nën kontroll borxhin publik dhe deficitin buxhetor, në mënyrë që t’i bëhet ballë ndonjë rreziku të mundshëm të ekonomisë së vendit nga ekonomitë në krizë të fqinjëve. Ishte deputeti socialist, njëkohësisht ekspert në Financat Publike, Arben Malaj, i cili hodhi idenë dje në komisionin kuvendor të Ekonomisë. Borxhi, deficiti dhe sistemi i taksave ishin çështje nga të cilat lindi dje debati mes opozitës dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, në lidhje me projektbuxhetin 2012 në mbledhjen e komisionit të Ekonomisë. Ministri Bode e prezantoi dje këtë projekt para deputetëve, duke theksuar se shtylla e buxhetit të vitit që vjen do të jetë rritja e prodhimit, duke synuar një rritje të qëndrueshme ekonomike, e cila parashikohet për 2012-n deri në 4,3%. “Sipas jush, buxheti është më realist, por sipas opozitës ende nuk është realist dhe nuk tregon për një përgjegjshmëri të mazhorancës dhe opozitës për taksapaguesit. Më i madh krahasuar me çfarë, me rishikimet?! Rritja ekonomike ka ardhur duke rënë, gjithashtu edhe niveli i punësimit e si rrjedhojë është rritur varfëria. 2012-ta do të jetë më i vështiri nga përmbytjet me borxhet dhe deficite”, tha ish-ministri socialist i Financave. Ai shtoi se do kemi impakt negativ nga partnerët tanë tregtarë. “70% të shkëmbimeve tregtare e kemi me Italinë dhe Greqinë. Kanë rënë dërgesat, eksportet. Cilat janë rrugët e kontrollit të deficitit dhe të borxhit dhe kostos së tyre? Disa shpenzime, duam apo s’duam, kanë rritjen e tyre të detyrueshme. Rishikimet dëmtojnë buxhetin. Borxhi nuk është shifër, matematikë, por perceptim. Pasiguria është te kostoja e borxhit. Në një situatë të caktuar, në rrethana ekonomike dhe politike rritet perceptimi për borxhin”- u shpreh deputeti Arben Malaj. Duke vijuar debatin për borxhin, Malaj theksoi se borxhi është kthyer nga publik në privat e së fundmi në kredi të këqija. Ai këmbënguli se në këtë mënyrë qeveria po falimenton bizneset nga vonesa e pagesave për veprat e tyre. Për këtë Malaj propozoi politika të reja në krahun e të ardhurave dhe një kontroll për deficitin. Në përgjigje të deputetit socialist Malaj, ministri Bode theksoi se aktualisht ekonomia shqiptare nuk ka problem borxhin, deficitin dhe kostot e tyre. Të gjitha vendet e rajonit vuajnë nga këta parametra dhe i kanë në nivele më të larta. “ Deficiti dhe borxhi nuk janë sot. Kanë qenë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Borxhi ka arritur edhe në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe nuk ka qenë problem rreziku. Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është shprehur në lidhje me këtë si shqetësim në atë kohë. Objektivi ynë ka qenë huamarrja e brendshme. Nuk ka qenë në parametra huamarrja e jashtme. Këtë e dikton edhe ligji i buxhetit. Nuk ka patur kufizime në marrëveshje me FMN-në.”- tha Bode. Duke theksuar se sfida e këtij buxheti është rritja e prodhimit, ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe gjithashtu ai paralajmëroi se nuk do të ketë ndryshim taksash as në perspektivë. Ndërsa deputeti socialist Arben Ahmetaj, duke u fokusuar edhe ai në shqetësimin e borxhit publik dhe deficitit, nënvizoi se nga burime konfidenciale është në dijeni se qeveria i ka borxh bizneseve 150-200 mln euro për veprat e përfunduara. Sipas Ahmetajt, parametrat tregojnë për një buxhet të pasigurt. “Eksporti i energjisë elektrike dhe mineraleve gjatë 2011-ës ka shënuar rënie serioze. Mund të kalojmë edhe në import shumë shpejt. Ne si opozitë mbetemi të shqetësuar për rritjen ekonomike. Për shkak të uljes së eksportit të energjisë që ishte edhe motori i rritjes më 2010, do kemi një ndikim negativ më 2012-ën. Kërkesa e brendshme është modeste. investimet nuk kanë lëvizur. Qeveria mbetet investitori kryesor dhe më i pasigurt.”- tha Arben Ahmetaj. Ndërsa deputetja tjetër socialiste Mimi Kodheli, duke kritikuar projektbuxhetin e 2012-ës theksoi se në vend mungojnë reformat strukturore. “Megjithëse ka rritje ekonomike, pavarësisht shifrave, ju do të vazhdoni ta rishikoni buxhetin. Nuk ka ulje të papunësisë. Borxhi është 59,4% e PBB-së , kostoja 0,7% e kalon 60%-in.”- tha Kodheli. Ndërsa deputetët e mazhorancës e vlerësuan këtë projektbuxhet, duke e cilësuar si më realistin pavarësisht se më konservator se vitet paraardhës.

Debatet

Bode: Kredi koncesionare të jashtme marr sa të duash. Nuk më jep impakt në buxhet për 10 vjet. Por nuk e bëj, se mendoj për 30 vitet e ardhshme.

Malaj: Nuk e bën dot.

Bode: Jemi aktiv në rritjen ekonomike.

Malaj: Pse e ngrive buxhetin 15 ditë më vonë? Je ministër, ke përgjegjësi. Nuk duhet ta ndryshosh 4 herë brenda vitit.

Bode: Këto janë llafe tavoline. Detyra është të mbajmë stabilitetin makroekonomik.

Malaj: Pse e votove buxhetin pa opozitën dhe e ndryshove pas 10 ditësh?

Bode: E ndryshova sepse nuk donim të rrudhnim ekonominë.

Malaj: Në artikullin IV të FMN-së nuk lejohet ndryshimi i buxhetit. Prandaj ju iku FMN-ja pa konferencë për shtyp. Nëqoftëse ke tejkalim të ardhurash, nuk është nevoja të shkosh në Parlament. Më mirë të konsolidohen financat publike.

Bode: Kemi patur edhe rritje dhe ulje të të ardhurave. Për 2012-n ju garantojmë rritje. Ne nuk bëjmë Kasandrën, ju po.

Ahmetaj: Llafet tona kanë dalë.

Bode: Jo mo, jo, nuk kanë për të dalë. E dini ju historinë e dashit dhe dhelprës? Jua kam treguar nja dy herë. Nuk mendojmë as të rrisim, as të ulim taksa. As në perspektivë. Thjesht kemi bërë rirregullime.

Ahmetaj: I ke rritur çdo vit. Rritja reale e ekonomisë ka rënë.

Bode: Mëso të lexosh.

Malaj: Ka patur vite më të mira. Nuk ka seriozitet.

Bode: Sfida jonë në afatshkurtër dhe afatmesëm nuk është as borxhi, as taksat, por rritja e ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›