E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi publik qeveria ka planifikuar ulje te moderuar te tij gjate 3 viteve te ardhshme

Në kushtet kur ekonomia të fuqishme botërore po përballen me rrezikun e humbjes së kontrollit mbi borxhin publik, qeveria shqiptare ka planifikuar ulje të moderuar të këtij borxhi në 3 vitet e ardhshme.

Specialistët e Financave, duke e vendosur zhvillimin makroekonomik e fiskal në sfondin e zhvillimeve aktuale, kanë konsoliduar treguesit e rinj buxhetorë deri në vitin 2014.

Bëhet fjalë për ndryshmin e parashikimeve buxhetore për vitet 2012-2014, ku shpenzimet pritet të njohin një ulje të konsiderueshme në krahasim me skenarin fillestar.

Konform deklaratave të kreu të ekzekutivit, për një qeveri të vogël, uljet më të mëdha në rishikimin për buxhetet e ardhshme do të jenë tek shpenzimet.

Kështu, ndryshimi në kuadrin e rishikuar për vitin 2012 është me një ulje 11 miliardë lekë , ndërsa për vitin 2013 diferenca është 21 miliardë lekë.

Për vitin 2014, qeveria ka ulur parashikimin e saj të shpenzimeve me 32 miliardë lekë.

Ulje është parashikuar edhe për të ardhurat, të cila është ulje më e vogël në krahasim me shpenzimet.

Kështu deri në vitin 2014 të ardhurat parashikohen të ulen me 30 miliardë lekë.

Përsa i përket borxhit publik dhe sfidave për të përballuar atë, në kushtet e krizave ndërkombëtare, qeveria ka parashikuar ulje deri në 58 për qind, në vitin 2014, ndërkohë që aktualisht, sipas buxhetit të rishikuar, ky borxh është 59.4 për qind.

Ndërkaq, në bazë të rishikimeve të bëra, borxhi publik i vendit tonë parashikohet të ulet me 3.4 miliardë lekë për vitin 2012, me 12 miliardë lekë për vitin 2013 dhe me 22 miliardë lekë për vitin 2014.

E kur flitet për borxhin publik, nuk mund ta diferencosh këtë fenomen nga zhvillimet ndërkombëtare që kanë prekur jo vetëm vendet fqinje, por edhe ato më të zhvilluara.

Në listën e vendeve botërore me borxh të madh renditen disa shtete. Kështu, sipas vlerësimeve më të fundit të FMN-së, Japonia rezulton të jetë e para, pasi borxhi i saj është më shumë se dyfishi vjetor i produktit të brendshëm bruto, me plot 213 për qind.

Pas Japonisë renditet Greqia e mbërthyer nga kriza, me një borxh publik 157% të prodhimit të brendshëm bruto. Pas Greqisë, renditen Italia dhe Irlanda, vende ku niveli i lartë i borxhit ka sjellë shqetësime të mëdha muajt e fundit.
Shtetet e Bashkuara kanë një borxh publik që është afër 100 % të prodhimit të brendshëm bruto, gjë që i rendit ato në vend të shtatë, një pozicion më i mirë se shtetet e mësipërme.

E shifra të tilla dëshmojnë se vende të zhvilluara janë tashmë të përfshira nga telashe me borxhin publik, i cili është shumëfish i borxhit publik që ka vendi ynë, qeveria parashikon ta ulë në të ardhmen.

 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›