Regjistrimi i markës, “pasaportë” për eksportin e prodhimeve shqiptare
Biznesi shqiptar ka ende një nivel të ulët informimi për regjistrimin e markave tregtare të prodhimeve të tyre. Që një prodhim shqiptar të eksportohet apo të futet në tregjet e huaja, ai patjetër duhet të jetë i regjistruar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Patentave dhe Markave, për të patur shenjën dalluese. Drejtori i këtij institucioni, Safet Sula, shpjegoi dje se tarifa e regjistrimit të një marke në vendin tonë është 100 euro. Ndërsa, në rast të një ndarje të biznesit mes ortakëve, vlera është disa herë më e madhe. Sipas z.Sula, shumë biznese shqiptare janë të prirur për të adoptuar marka tregtare të huaja, numër ky disa herë më i madh se ai i regjistrimit të markave shqiptare. Sektorët që tregojnë më shumë interes për të regjistruar markat janë ai tregtar dhe prodhues. Nga regjistrimi fillestar dhe tarifat e pagesave vjetore të patentave dhe markave tregtare pranë kësaj Drejtorie, llogaritet që të ardhurat në buxhetin e shtetit janë afro 500 mijë euro në vit.