E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi publik, si do menaxhohet në buxhetin e vitit 2010



Në vitin 2010 parashikohet të rriten shpenzimet për menaxhimin e borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm. Në projektbuxhetin e vitit 2010 janë parashikuar në zëra të veçantë shpenzimet që do të përdoren për zbutjen e borxhit. Buxheti 2010 i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, për sa i përket borxhit të brendshëm, ka një gjendje në rritje të shpenzimeve për interesa, si rezultat i ndryshimit në rritje të normës së interesit të bonove të thesarit dhe të obligacioneve të qeverisë, si edhe i rritjes së peshës që zënë instrumentet afatgjatë në stokun e borxhit. Gjithashtu në këto shpenzime është përfshirë edhe pagesa e fondit të garancisë për eksporte në masën 80 milionë lekë.

Në mënyrë me analitike nga analiza e interesave të borxhit të brendshëm rezulton se këto interesa rriten me 3.2 miliardë nga bonot e thesarit dhe 1.2 miliard nga obligacionet.

Në shtesën e interesave për bonot e thesarit 1.8 miliard lekë ndikon rritja e interesit në këtë segment të letrave me vlerë me 1.15% pikë përqindje nga mesatarja e një viti më parë, ndërsa 1.4 miliard lekë ndikon shtesa e totalit të emetimeve 12-mujore me 18.2 miliardë lekë në vitin 2009 e cila maturohet në vitin 2010 krahasuar me vitin e mëparshëm. Në shtesën e interesave për obligacionet afatgjata prej 1.2 miliard lekë është ndikimin e pagesave për obligacionet 5-vjeçare me 1.4 miliard, i obligacioneve 2-vjeçare me 0.2 miliard dhe pakësim i pagesave për obligacionet 3-vjeçare me 0.4 miliard lekë.

Shpenzimet për interesa të borxhit të jashtëm parashikohen me rritje e cila vjen si pasojë e ecuria me ritme të shpejta gjatë vitit 2009 e disbursimeve të kredive që financojnë sektorin e transportit dhe atë energjetik dhe që i japin efektet e tyre në vitin 2010, e kredive të reja të kontraktuara dhe të ratifikuara, apo që janë në proces ratifikimi dhe që i fillojnë efektet e tyre në buxhet në vitin 2010.

Në shtesën prej 2.5 miliardë lekë interesa, 1.7 miliard lekë janë ndikimet e kredive të disbursuara menjëherë gjatë vitit 2009 kryesisht për mbështetje buxhetore dhe në sektorin e transportit, si dhe të infrastrukturës ujore. Gjithashtu kemi ndikimin e efektit shtesë të kursit të këmbimit me 576 milionë lekë. Në parashikimet e interesave të borxhit të jashtëm është pasur parasysh edhe kostoja për komisione dhe të tjera pagesa fillestare prej 270 milionë lekë për strategjinë e emetimit të eurobond-it në tregun ndërkombëtar.

Shpenzimet për principalin e borxhit të jashtëm janë parashikuar gjithashtu me rritje në 2010 krahasuar me 2009 me rreth 2 miliardë lekë, si rezultat i shlyerjes së principalit në kreditë e sektorit të transportit, ujësjellësve dhe projekteve të strehimit me 1.350 milionë lekë, si dhe nga ndikimi në rritje i kursit të këmbimit me 650 milionë lekë.

Borxhi i trashëguar nga viti 2009 në 2010

Për borxhin e trashëguar që do të riskedulohet, në buxhetin e vitit 2009 janë parashikuar shpenzime në shumën 1.076 milionë lekë për principalin dhe 35.5 milionë lekë interesa. Parashikohet që të përfundohen marrëveshjet e riskedulimit me Jugosllavinë e Rusinë, për të cilat është planifikuar të paguhet shuma e lartpërmendur. Në buxhetin e vitit 2010 janë planifikuar fonde edhe për shlyerjen e detyrimeve në kuadrin e garancive që ka lëshuar qeveria për kreditë e marra nga institucionet dhe qeveritë e huaja. Konkretisht për borxhin e jashtëm të garantuar janë përfshirë në buxhet 1.253 milionë lekë për pagesat e principalit dhe 436.02 milionë lekë për interesa.

Në pagesat e borxhit të jashtëm për vitin 2010 gjithashtu janë planifikuar edhe 133 milionë lekë pagesa interesi për kredi që mendohet të nënshkruhen gjatë kësaj periudhe dhe të cilat do të kenë efekte financiare në buxhet.

Menaxhimi i borxhit në 2009, vështirësi mungesa e likuiditetit

Sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, politika financiare e financimit të deficitit buxhetor për vitin 2009 ka qenë brenda objektivave të caktuara për këtë vit. Deficiti fiskal i financuar me burime të brendshme synohet të realizohet sipas kufirit të miratuar në planin e buxhetit të shtetit. Edhe gjatë këtij viti ka vazhduar tendenca pozitive e rritjes së numrit të pjesëmarrësve në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë, duke sjellë një diversifikim të portofolit nga pikëpamja e mbajtësve të tij. Konkretisht vihet re një tendencë në rritje e peshës së institucioneve jobanka dhe veçanërisht e individëve si dhe rritja e portofolit të Bankës së Shqipërisë, e cila ka ndërhyrë në shtimin e likuiditetit në treg dhe në mbështetje të financimit të deficitit buxhetor.

Lidhur me menaxhimin e borxhit të financuar me instrumente financiare, një nga vështirësitë kryesore të këtij viti ka qenë mungesa e likuiditetit dhe reagimi i tregut kryesisht në instrumente afatshkurtra. Si rrjedhim shtesa e emisionit të obligacioneve afatgjata deri në fund të vitit mendohet të jetë në total 5.3 miliardë lekë, duke emetuar oblig 2-vjeçar, 2.8 miliardë më pak krahasuar me maturimin, obligac 3-vjeçar, 5.3 miliardë më pak dhe 13.4 miliard emetime shtesë do të vijnë nga obligacionet 5-vjeçare kryesisht me interes variabël. Ndërsa shtesa nga bonot e thesarit do të jetë rreth 12.8 miliard lekë. Për sa u përket treguesve të riskut në fund të vitit 2009, numri i ditëve mesatare në maturim mendohet të jetë 398 ditë krahasuar me 401 ditë në fund të vitit 2008. Siç shikohet gjatë vitit 2009 për shkak të situatës së vështirë financiare të tregut nuk ka përmirësime të këtij treguesi, gjë e cila ishte parashikuar dhe shprehur edhe në strategjinë e menaxhimit të borxhit 2009-2011.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›