Borxhi, qeveria blen bono në euro nga bankat
Qeveria ka bërë një manovër në tregun e brendshëm të borxhit, për të evituar kostot e larta të interesave. Pak kohë me parë, qeveria ka emetuar një bono në euro me vlerë 17.5 milionë. Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, shuma është marrë për të shlyer një pjesë nga principali dhe nga interesat e një borxhi që u mor vitin që shkoi në tregun e brendshëm, me vlerë 25 milionë në valutën euro. Interesi i këtij viti për euron e blerë nga bankat ka qenë 6.3 për qind ose 0.3 për qind më i lartë se, i vitit që shkoi. Qeveria e ka bërë këtë manovër për të minimizuar kostot që vijnë nga kursi i këmbimit. Nëse borxhi 25 milionë euro, që u mor vitin e kaluar, do të ishte shlyer në lekë, kostot që vinin nga kursi i këmbimit do të çonin në më shumë se 10 për qind interesin. Prandaj, qeveria për të eliminuar këto kosto, emetoi sërish bono në euro. Ndërkohë bankat duket se, kanë qenë atraktive në këtë drejtim, pasi e kanë ofruar shumën e nevojshme që ka kërkuar qeveria. Për shkak se në këtë situatë, ku kreditimi në euro ka rënë në nivelet më të ulta të 5 viteve të fundit, bankat kanë fonde të lira në euro, aq sa për të plotësuar kërkesat e qeverisë për borxh në këtë valutë. Buxheti i këtij viti rëndon me koston më të lartë të interesave të borxhit, që duhet të shlyejë të paktën në këto dy dekadat e fundit. Zëri i shpenzimeve për pagesat e interesave për koston e borxhit vjen i katërti në buxhet, pas shpenzimeve për pagat, pensione dhe investime. Shuma e programuar në buxhetin e këtij viti për shlyerjen e interesave të borxhit është 47 miliardë lekë ose plot 400 milionë euro. Interesat e borxheve të vjetra dhe të reja, të kthyera tashmë në ortek për mbarë ekonominë e globit, janë bërë shqetësim së fundmi edhe për vendin tonë. Ministria e Financave shpjegon se, rritja e kostove të shlyerjes së borxhit vjen për shkak të interesave të larta në tregun e brendshëm dhe atë të huaj, të gjeneruar nga kriza financiare globale. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, shpenzimet për interesa që përfaqësojnë rreth 13.9 për qind të totalit të shpenzimeve korente, të realizuara gjatë 2010. Për pasojë, krahasuar me buxhetin e rishikuar 2010, në vitin 2011 shpenzimet për këtë zë parashikohen të rriten, nga 3.5% e PBB, në 3.6% e PBB. Kështu për borxhin e brendshëm ka një gjendje në rritje të shpenzimeve për interesa, si rezultat i rritjes së peshës, që zënë instrumentet afatgjatë në stokun e borxhit. Në fund të vitit 2010, stoku i borxhit publik arriti në 715 miliardë lekë, ose 58.52% e PBB. Ky stok përbëhet nga borxhi i qeverisë qendrore, 58.51% të PBB dhe borxhi i pushtetit lokal me 0.01% të PBB. Mbështetur në ligjin për “Huamarrjen e qeverisjes vendore”, gjatë vitit 2010 disa bashki e komuna filluan të marrin hua në tregun e brendshëm për financimin e projekteve të ndryshme në infrastrukturë. Ndërkaq, huamarrja e qeverisë qendrore ka vazhduar në përputhje me nevojat e buxhetit. Në krahasim me vitin 2009, stoku i borxhit publik paraqitet me rënie prej 1.15% ne raport me PBB. Borxhi i Qeverisë Qendrore përbëhet nga borxhi i brendshëm, që në fund të vitit 2010 zë rreth 57% të stokut dhe borxhi i jashtëm me 43% të stokut. Kështu edhe gjatë vitit 2010, ndryshimi i strukturës borxh i brendshëm, borxh i jashtëm ka vazhduar në favor të këtij të fundit.