Mitingjet, PS e PD " Takohen" në bulevard
Tiranë- Opozita do të rikthehet të premten në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë. Kësaj here, jo për të protestuar, por për të përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit. Të premten, në orën 18:00 Partia Socialiste dhe aleatët e saj, në pamundësi për të gjetur një shesh tjetër, do ta bëjnë mbylljen e fushatës elektorale në bulevardin kryesor të kryeqytetit, aty ku për javë me radhë ka protestuar për hapjen e kutive. Vetëm një orë më pas dhe 500 metra më tej, Partia Demokratike me aleatët e saj do të kryejnë të njëjtën ceremoni përmbyllëse të fushatës për Tiranën, në sheshin “Nënë Tereza”. Njësoj si në mbylljen e fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, aksi që bashkon bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me sheshin “Nënë Tereza” do të jetë i bllokuar për makinat dhe i mbipopulluar nga militantët partiakë të dyja kampeve kryesore të politikës shqiptare. Kjo, pasi pas Partisë Demokratike, edhe Partia Socialiste e ka ndarë dje mendjen për ta bërë ceremoninë e mbylljes së fushatës elektorale në sheshin përballë Kryeministrisë. Një zgjidhje e detyruar kjo për socialistët, të cilët nuk kanë pasur mundësi për të gjetur një hapësirë tjetër publike, pasi sheshi “Skënderbej” është kthyer në një kantier ku punohet prej më shumë se një viti, ndërsa sheshi tjetër kryesor, “Nënë Tereza”, për të njëjtin orar është prenotuar nga demokratët.
Kjo situatë nuk është se ndodh për herë të parë, pasi edhe në zgjedhjet e shkuara parlamentare, socialistët e kanë mbyllur fushatën e tyre në të njëjtin vend. Që prej ardhjes së Edi Ramës në krye të PS-së, kjo forcë politike ka hequr dorë nga mitingjet në sheshin “Nënë Tereza”, si një shkëputje nga epoka “Nano” dhe shpeshherë ka frekuentuar, ose bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ose fushën e sportit në “Qytetin Studenti”, apo ambientet e mbyllura të Pallatit të Kongreseve.
Partia Demokratike
Gjatë ditës së djeshme, Partia Demokratike ka mundur të sigurojë lejen e Policisë së Tiranës, për të zhvilluar mitingun përmbyllës të fushatës zgjedhore në sheshin “Nënë Tereza”. Një ditë më parë, pra të enjten, në të njëjtin shesh do të jetë PDIU, forca që do të bëjë mbylljen e fushatës. Një fakt i tillë është konfirmuar dje nga Policia e Shtetit, nëpërmjet një njoftimi për mediat, ku ka bërë të ditur se: “në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kanë mbërritur kërkesat zyrtare të tubimeve përmbyllës të aktiviteteve për fushatën zgjedhore të Partisë Demokratike për datën 6 maj 2011, ora 19:00’ deri në 21:00’ në sheshin “Nënë Tereza” dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, për datën 5 maj 2001 ora 18:00’ deri në 20:00’ në sheshin “Nënë Tereza” Tiranë”. Policia thotë se, bazuar në ligjin për “Tubimet” në datat 5, 6, 7 dhe 8 të saj, do të marrë masa për sigurimin dhe garantimin normal të aktiviteteve për mbylljen e fushatës zgjedhore. Lidhur me kërkesën e PD-së, policia bën të ditur se leja do të jepet për një periudhë kohore, nga ora 17 deri në 22 të së premtes. Për shkak të këtyre tubimeve, policia lajmëron drejtuesit e automjeteve që në oraret e përcaktuara më sipër do të ketë ndalim qarkullimi dhe parkim të automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura e Dajtit deri në sheshin “Nënë Tereza” Tiranë. Por puna e policisë në datën 6 maj do të jetë e vështirë, pasi krahas mitingut të PD-së, ajo do të duhet të sigurojë edhe mitingun e PS-së, i cili do të nisë vetëm një orë më parë. Për shkak të afërsisë në hapësirë dhe në orare, nuk përjashtohet mundësia që Policia e Tiranës të investohet maksimalisht në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.