E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrollit të trafikut ajror, përurohet kulla e re

Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror ka investuar 12,5 milionë euro për kullën e re dhe qendrën e kontrollit të trafikut ajror. Veprat në fjalë janë inauguruar dje dhe janë pjesë e një investimi total, që kap vlerën e 60 milionë euro dhe është realizuar në bashkëpunim me kompaninë prestigjoze amerikane Lockheed Martin. Projekti në fjalë përfshin përmirësimin e infrastrukturës së menaxhimit të trafikut ajror dhe sistemeve të komunikimit, navigimit dhe survejimit si: instalimin e një sistemi të ri të menaxhimit të trafikut ajror, instalimin e një sistemi për uljen me instrumente (ILS), sistemin e ri të komunikimit zanor dhe radiove të reja si dhe instalimin e një radari sekondar.

Nëpërmjet implementimit të plotë të këtij projekti synohet rritja e nivelit të sigurisë së fluturimeve, ulja e vonesave për fluturimet dhe optimizmin e efikasitetit të fluturimit, në mënyrë që të arrihen objektivat e vendosura nga Komisioni Europian dhe të shprehura nëpërmjet Konferencës Europiane të Aviacionit Civil në konceptin e “Një qielli të vetëm europian”. Ministri Olldashi gjatë fjalës së tij u shpreh se, kulla e re dhe Qendra e Trafikut Ajror është një nga pjesët e rëndësishme të projektit dhe përmbyllja me sukses e këtij projekti kontribuon në modernizimin e hapësirës ajrore me një teknologji të zhvilluar të sigurt, që sjell performancë të lartë të cilësisë së shërbimeve të ofruara nga ANTA. “Implementimi i plotë i këtij projekti të rëndësishëm do të rrisë eficencën e transportit ajror, operim dhe shërbime të ofruara në përputhshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe ajo që është më e rëndësishme, plotësim i detyrimeve që rrjedhin nga angazhimet për të pasur një Hapësirë të Përbashkët Europiane të Aviacionit (ECAA), duke u bërë pjesë e iniciativës për Një Qiell të Vetëm Europian (Single European Sky-SES) dhe përfshirjen e hapësirës ajrore shqiptare në Blloqet Funksionale të kësaj iniciative”, - u shpreh ai. Ndërsa drejtori i ANTËS, Petrit Sulaj gjatë fjalës së tij tha se, kjo godinë me një vlerë totale prej 12.575.000 Euro në të cilën do të instalohen aparatura moderne të kontrollit të trafikut ajror, së bashku me kapitalin njerëzor që ANTA zotëron, do të bëjnë të mundur një rritje të ndjeshme të shifrave të trafikut, të cilat të përkthyera në numër fluturimesh do të jenë më shumë se 200.000 (dyqintmije) fluturime në vit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›