E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhlinjtë e KZAP-it

Lidhja Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po e presin minutën e fundit që t’i paguajnë gjobat për “kundërvajtjet” që kanë bërë në zgjedhjet lokale 2009.

Këto tri subjekte politike kanë afat deri të shtunën t’i kryejnë obligimet për të cilat janë ndëshkuar nga Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, nëse dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Istogut.

“Sipas ligjit, nëse subjektet politike nuk i kryejnë obligimet, gjegjësisht gjobat, atëherë mund të përjashtohen nga procesi elektoral në Istog”, tha Fehmi Ajvazi, zëdhënës i KQZ’së.

Sipas tij, deri të enjten, vetëm Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re i kanë shlyer gjobat.

PDK ka qenë e ndëshkuar me 65 mijë e 120 euro, ndërsa AKR 12 mijë euro.

Ndërsa tri subjektet tjera kanë pa i paguar borxhet në këto shuma: LDK 34,200 euro, AAK 12,750 euro dhe LDD 9,500 euro.

Në një komunikatë për media, KZAP ka shpjeguar arsyet se pse janë dënuar këto subjekte politike.

“KZAP ka shqiptuar masat e dënimit me gjobë për subjektet politike, për shkak se ato kanë bërë shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës Nr. 03/L-073 dhe Ligjit për Zgjedhjet Lokale Nr. 03/L-072”, thuhet në komunikatë.

“Shqiptimi i gjobave nga KZAP ka të bëjë me periudhën kohore prej fushatës parazgjedhore të Zgjedhjeve Lokale 2009, si dhe me mos-deklarimin e Raportit Financiar lidhur me shpenzimet e fushatës zgjedhore”, vazhdon komunikata.

Kryetari i KZAP-it, Tahir Rrecaj, ka deklaruar ditë më parë se asnjë subjekt politik që nuk ka paguar gjobat e shqiptuara për shkelje, nuk do të mund të certifikohet për zgjedhjet komunale në Istog.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Istogut garojnë pesë kandidatë të subjekteve politike. Haki Rugova - LDK, Muhamet Shatri - AAK, Ismet Mulaj - AKR, Shasivar Haxhiaj - PDK dhe Rifat Osmanaj - LDD.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›