E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi udhëton drejt Sllovenisë

Kryeministri Hashim Thaçi ka udhëtuar sot pasdite për në Lubjanë të Sllovenisë, për të marrë pjesë në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, që mbahet në Bërdo.

Në një prononcim për gazetarë, në Aeroportin e Prishtinës, para nisjes, Thaçi deklaroi se Kosova do të përfaqësohet si shtet dhe me të drejta të barabarta, sikurse të gjitha shtetet e tjera pjesëmarrëse në këtë samit.

Ai tha se ka marrë ftesë si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe se do të marrë pjesë si i tillë, transmeton KosovaPress.

Ndërsa mediat serbe raportojnë se presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, nuk do të marr pjesë në këtë konferencë.

Sipas B92, Tadiq nuk do të jetë të shtunën në Bërdo, për shkak se nuk është respektuar kërkesa e Beogradit që delegacioni kosovar të prezantohet si UNMIK/Kosovo.

Ndërkohë kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, ka përsëritur se konferenca e Bërdos do të mbahet, nesër, me ose pa pjesëmarrjen e Serbisë.

“Secili që nesër do të vijë në konferencë do t’i kontribuojë dialogut me qëndrimin e vet në lidhje me këtë çështje. Kush nuk vjen, nuk do ta gjykojmë”, ka thënë sot Pahor.

Pjesëmarrjen në samitin e nesërm për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, deri më tani, e kanë konfirmuar gjashtë kryeministra të rajonit.

Krahas nikoqirit Pahor, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Jadranka Kosor, kryeministre e Kroacisë; ai i Kosovës, Thaçi; kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Nikolla Shpiriq dhe kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski. Malin e Zi pritet ta përfaqësojë kryeministri Milo Gjukanoviq.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›