E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: Besoj se zgjidhja do të vijë nga salla e Kuvendit

19/03/2010 Kriza politike

Ambasadori i OSBE-së në vendit tonë, Robert Bosch, shprehu dje besimin e tij në arritjen e një konsensusi mes PD-së dhe PS-së lidhur me krizën politike. Sipas Bosch, debatet dhe zgjidhjet në politikë vijnë vetëm brenda sallës së Parlamentit. “Jam optimist për zgjidhjen në Parlament. Kam thënë se ngërçi zgjidhet vetëm në Parlament”, - vuri në dukje Bosch sa i takon kësaj çështjeje. Njëkohësisht, duke iu referuar deklaratave nga pozita dhe opozita, Bosch vlerësoi se “të dyja partitë thonë se janë të gatshme për kompromis, por ende nuk është e qartë se çfarë duan të thonë me këtë”. Sipas tij, ditët e fundit kanë qarkulluar shumë propozime interesante për zgjidhjen e krizës. Madje pikërisht për këtë arsye ambasadori i OSBE-së shprehu besimin e tij se kompromisi do të arrihet, pasi nuk ka rrugë tjetër. “Partia Socialiste duhet të mbetet në Parlament e aty t’i shprehë mendimet e propozimet e saj”, - nënvizoi Bosch. Gjithashtu, duke qëndruar po në këtë linjë, ambasadori Bosch sqaroi se “ne inkurajojmë të dyja palët se nga kjo do të ketë vetëm fitimtarë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›