Bosch: Jo, emërimeve politike në Kushtetuese

DREJTËSIA
Ambasadori i SHB-së Xhon Uidhers, kërkoi shfuqizimin e nenit për imunitetin nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Kreu i Misionit të OSBE- së, gjatë takimit të djeshëm kërkoi standarde që edhe emërimet në gjykata të kryhen me transparencë
TIRANË- Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh (Robert Bosch), apeloi që përzgjedhja dhe emërimi i gjyqtarëve të rinj për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë, të jetë jo politike.
Po ashtu ai sugjeroi edhe ndryshime në Kodet mbi të cilat funksionon sistemi i Drejtësisë në vend. Përkrah tij, pak momente më pas, ambasadori i SHBA-së Xhon Uidhers (JOHN L.Withers), kërkoi që të shkohet edhe më tej, duke hequr nga Kushtetuta e Shqipërisë, termin "Imunitet" si pengesë ligjore për hetimet e Prokurorisë.
Deklaratat e tyre erdhën gjatë takimit në kuadër të Ditës Kombëtare të Drejtësisë të organizuar nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, znj.Shpresa Beçaj, me pjesëmarrjen e dy ambasadorëve Bosh dhe Uidhers, kryeprokurores Ina Rama, zv/kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo, dhe pedagogë e studentë të Shkollës së Magjistraturës etj. Në takimin një orësh, ambasadori Bosh i sugjeroi grupit të punës të ngritur nga Presidenti i Republikës z.Bamir Topi, disa nga kriteret sipas tij që duhen respektuar në këto emërime.
Ai përmendi përjashtimin nga emërimi të figurave politike, si dhe rekomandoi si kusht që kandidatët të jenë juristë të shkëlqyer me reputacion dhe të të pakorruptueshëm. Një pjesë e grupit të punës të ngritur nga Presidenti për këtë qëllim ishin të pranishëm në takimin e mësipërm.
"Shpresoj që të gjithë personat e përfshirë në procesin e përzgjedhjes do të sigurojnë që individët e përzgjedhur të jenë jo-politikë. Sidoqoftë, të qenit apolitik nuk mjafton",-tha ambasadori Bosh, duke sugjeruar që për të gjitha emërimet në sistemin gjyqësor të zbatohen standardet më të larta profesionale dhe etike.
Më tej ambasadori i OSBE-së, kërkoi që edhe anëtarët e KLD-së në vendimet e përzgjedhjes, emërimit dhe transferimit të gjyqtarëve në gjykata të bazohen mbi kritere profesionale e etike. "Në një demokraci moderne, institucionet, përfshirë gjyqësorin, duhet të jenë transparente dhe të përgjegjshme.
Transparenca në sistemin gjyqësor dhe përgjegjshmëria në veprimet gjyqësore ndihmon në rritjen e besimit te gjykatat",-tha Bosh. Sipas tij, për të realizuar reformën në drejtësi nevojiten ndryshime madhore në Kodet e Procedurës Penale e Civile.
Në fund, kreu i misionit të OSBE- së në vend, kërkoi nga Kuvendi ndryshimin e ligjit për statusin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë pas mbarimit të mandatit të tyre 9 vjeçar. "Statusi i paqartë i këtyre ish-gjyqtarëve nuk mund të jetë i pranueshëm për askënd.
Këta njerëz nuk mund të kërkojnë punë ndërsa shërbejnë në gjykatë, shumë shpesh iu duhet të marrin vendime që mund të jenë të papërshtatshme me perspektivat e punës së tyre të ardhshme. Duhet të sigurohemi, që anëtarët të cilëve u mbaron mandati të kenë një të ardhme të qëndrueshme profesionale dhe ekonomike"- tha ai.
Uidhers: Hiqni imunitetin
Gjatë takimit të djeshëm, edhe Ambasadori SHBA-së në Tiranë, Uidhers, nënvizoi nevojën e përzgjedhjes së njerëzve profesionalë e të pavarur politikisht në mënyrë që siç theksoi ai, të sigurohet një sistem drejtësie me vlera. Gjithashtu, në fjalën e tij ambasadori Uidhers, propozoi që të hiqet neni i imunitetit në Kushtetutë, që organi i akuzës të jetë i lirë për ndjekjen dhe luftimin e korrupsionit.
Ndërkohë, vetëm tre ditë më parë, ishin krerët e njësisë së task-forcës së prokurorisë së Tiranës dhe vetë kryeprokurorja Ina Rama, që kërkuan nga Kuvendi që të hiqet imunitetit i zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve për të pasur "dorë të lirë" në hetimin e tyre. Këtë iniciativë, e mbështeti në takimin e djeshëm edhe zv/kryetari i KLD-së z.,Kreshnik Spahiu, që kërkoi që imunitetit të mos jetë pengesë në luftën ndaj korrupsionit, duke përmendur pesë vendimet që KLD-ja ka marrë për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve në vend.
Beçaj, rezerva për emërimet e reja të KLD-së
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, znj.Shpresa Beçaj, kërkon ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, Civile, ndryshime në projektligjin për Gjykatat Administrative si dhe në ligjin organik të Gjykatës së Lartë, duke kërkuar shtimin e numrit të gjyqtarëve, si dhe krijimin e Kolegjit Administrativ.
Propozimet Beçaj ia ka drejtuar Kryetares së Kuvendit të Republikës, Jozefina Topalli, Kryeministrit Sali Berisha si dhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi njëherazi me cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD).
Anëtarët e KLD-së, kohët e fundit kanë kryer emërime dhe transferime të disa gjyqtarëve, për të cilat Beçaj, anëtare e KLD-së, ka shprehur rezerva për kriteret e emërimeve dhe transferimeve të gjyqtarëve.
"KLD-ja, përveç plotësimit të kritereve ligjore dhe respektimit të procedurave për emërimin e gjyqtarëve, duhet të mbajë parasysh edhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të cilëve i ka mbaruar mandati, statusi i të cilëve është i qartësuar në ligjin organik të Gjykatës së Lartë.
"Çdo gjyqtari të Gjykatës së Lartë që i mbaron mandati, duhet që me kërkesë të tij, të sistemohet në një nga Gjykatat e Apelit në vend dhe jo t'i nënshtrohen procedurave si çdo gjyqtar tjetër e madje duke mos u emëruar e duke mbetur pa punë.
Edhe për gjyqtarët të cilëve i është suprimuar vendi i punës, duhet që ata të kenë përparësi në përzgjedhjen dhe emërimin e tyre dhe jo të refuzohen kërkesat e tyre",-tha Beçaj në një komunikimin me median. Ajo shprehu rezerva për kriteret e përzgjedhjes, emërimit dhe transferimeve të 16 gjyqtarëve nga KLD-ja ditët e fundit.
Kriza
Në sistemin e Drejtësisë, nuk ka mandate
Kolegji Civil dhe Penal i Gjykatës së Lartë, vazhdon të gjykojë çështjet e vitit 2007 dhe 2008. Kjo pak kohë pas krizës së krijuar në vitin 2008, menjëherë pas përfundimit të mandatit të gjashtë anëtarëve të kësaj gjykate, duke sjellë vështirësi në krijimin e kolegjeve.
Edhe pas zëvendësimit të tyre, situata e krijuar në 2008 duket se mund të përsëritet. Shkak për këtë mund të bëhet se në Gjykatën e Lartë tre kolegjet, njëri penal dhe dy civilë, kanë nga katër anëtare të cilëve iu ka mbaruar mandati dhe sipas ligjit nuk mund të qëndrojnë më në këtë detyrë. Me mandat të përfunduar janë gjyqtarët: Perikli Zaharia, Spiro Spiro, Irma Bala dhe Evgjeni Sinoimeri.
Kështu Gjykata e Larte është prekur ashtu si edhe ato të shkallëve më të ulëta nga "virusi" i zvarritjes së proceseve. Në krize mund të futet në fund të këtij muaji edhe Gjykata Kushtetuese, që pritet të mbetet vetëm me tre anëtarë, përfshirë kryetarin dhe dy anëtarët Vitore Tusha dhe Sokol Berberi.
Në këtë gjykatë iu ka mbaruar mandati, gjyqtarëve Sokol Sadushi, Fehmi Abdiu e Kujtim Puto. Më 25 maj u përfundon mandati gjyqtarëve Xhezair Zaganjori e Petrit Ploci. Nga ana tjetër, edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pa mandat katër anëtarë, për shkak të mos kalimit të ligjit të Konferencës Kombëtare Gjyqësore që duhet të miratohet me shumicë të cilësuar votash në Parlament.