E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lexim mbi gjemba i Simfonisë së Fatit

Simfonia e fatit, siç e ka quajtur vetë Beethoveni Simfoninë e Pestë, simfonia e fatit që troket tek porta, shton Qamil Gjyrezi, ishte dje ftesë e lektorit të Psikologjisë së Artit të Universitetit "Luigj Gurakuqi", për të folur mbi "Filozofinë e Imaginarios".


Pas disa takimeve në shkolla të mesme për të diskutuar në një nivel më të thjeshtuar mbi "epistemologjinë dhe psikologjinë e muzikës", ku në këtë aspekt, Gjyrezi ka trajtuar terapinë dhe psikologjinë e muzikës së Prenk Jakovës, ai ishte dje në Black Box të Akademisë së Arteve përballë ish-pedagogëve të tij të konservatorit po edhe mësimdhënësve më të rinj, të cilët tek dëgjonin në errësirë dhe shihnin të projektuar në ekran përkufizimet dhe nënvizimet e Gjyrezit, apo kur dëgjonin ndonjë koment të tij pas ilustrimit muzikor nga Georgy Kurtag, nuk kuptohej qartë nëse ishin brenda apo jashtë teme, nëse ishin për këto teori apo ndodheshin aty për kortezi, nëse ishin në gjendje të korrigjonin referuesin kur fliste për Saussure-in, Barthesin dhe teoricienë semiotikë të fushës së muzikës, dhe që duke i kapërcyer ata përsëriste se kemi të bëjnë me një muzikë që duhet trajtuar si shenjë, në këtë rast si një element bazë i një gjuhe joverbale.


A ishte një takim mes shkencëtarësh të muzikës apo një lojë me shkencën?


Simfonia e 5-të e Beethovenit (1770-1827) u përfundua më 1807, një nga më populloret e muzikës klasike të të gjitha kohëve dhe nga të luajturat, u interpretua për herë të parë në Teatrin e Vjenës më 1808. Kompozitori po hynte në periudhën e parë të shurdhërisë.
Gjyrezi i cili e ka këtë vepër pjesë të studimit të tij në Universitetin Ca' Foscari në Venecia, thotë se është një vepër tipike nga ato që janë të hapura për debat.

Si nisi kjo historia juaj, studimi i psikologjisë së muzikës?

Jap mësim në Universitetin e Shkodrës, psikologji dhe terapi arti në Fakultetin e Psikologjisë. Para dy vitesh ambasada italiane më ka dhënë shansin të kryej studime në Universitetin Ca' Foscari në Venecia, ku studioj në Fakultetin e Epistemologjisë së dijes, ku ka figura të artit të studimeve epistemologjike teorike si Ivana Padovan dhe Umberto Galimberti.


Qëllimi im të studimi i epistemologjisë e imagjinares dhe për këtë i jam drejtuar muzikës mbasi jam edhe muzikant. Përpjekjet e mia duan të vërtetojnë sinkronizimin e irreales që është baza e artit.


Psikologjia e artit është fushë e re dhe natyrisht kërkon promovim me individë të fushës.
Studimi i epistemologjisë së muzikës, i teorisë së saj, bën të mundur identifikimin imagjinar të artit, domethënien, shijen e tij.


Kam studiuar trombë në Akademinë e Arteve më 1982 dhe më pas gjermanistikë. Është pikërisht bashkimi i studimeve të linguistikës, gjermanistikës së bashku me muzikën që më japin shansin për të studiuar semiotikën e muzikës dhe psikologjinë.


Pse Simfonia e Pestë?


Si fillim dua të them se tentativa për t'i dhënë "kuptim" muzikës, fillon me manifestin futurist të Pratellës, 1910, i cili kritikoi ashpër muzikën italiane të kohës, vlerësonte Ëagner-in dhe vazhdon me shumë studiues të semiotikës së muzikës siç janë: Kofi Agaëu, (teoria bazë, analiza shenkeriane), Robert Hatten (në temat, gjesteve), Raymond Monelle (në temat e kuptimit muzikor), Jean-Jacques Nattiez (në analizën introverte, taksomanike dhe aplikimet etno-muzikologjike), Anthony Newkomb (në tregimtari), Tarasti (i konsideruar si krijuesi i semiotikës së muzikës). Barthesi, vetë një semiotik, gjuhëtar dhe një pianist i aftë, amator, nuk e vlerësoi muzikën që të ishte një sistem semiotik.


Duke iu drejtuar semiotikës së muzikës e cila është studimi gjuhësor i muzikës, ndeshesh me shumë pjesë muzikore të etapave të caktuara, por Beethoveni është tipik semiotik, simbolik.


Simfonia e fatit: si mund të thuhet me gjuhën e semiotikës ky motiv i Simfonisë së Beethovenit?


Thotë një fjalë: "Njeriu mendon dhe zoti vendos". Në këtë koncept natyra e fatit është parapsikologjike, është edhe introverte. Gjithsecili objekt dhe subjekt ka fatin e tij. Beethoveni vetë ka thënë diçka duke e konsideruar si simfonia e fatit, por tashmë jemi ne që i japim kuptim kësaj thënie të Beethovenit, duke e materializuar gjuhën jo verbale të muzikës dhe duke e dhënë linguistikisht fatin njerëzor.


Është tipike gjuha që Beethoveni e ka dhënë me tri nota. Kjo është forca e mendjes së tij, është arti i tij futurist, mendor i cili e përshkruan fatin njerëzor më mirë se çdo gjuhëtar dhe shkrimtar. Mua më intereson të shoh si Ludwig van Beethoveni e ka konsideruar fatin njerëzor në pavetëdijen e tij duke e nxjerrë në vetëdije.


Qëllimi nuk është ta dëgjojmë simfoninë në planin e muzikologjisë së zhvillimit, harmonik, polifonik, kromatik, por në planin psikologjik dhe gjuhësor. Simfoninë e Pestë është një vepër që ndihmon për të kuptuar natyrën e shenjave dhe natyrën jo verbale të muzikës.


Cili është thelbi i filozofisë së imaginarios?


Muzika është e lidhur me imagjinarion, imagjinimin. Ajo ka vlera komunikuese, simbolike, metaforike dhe pa dyshim semiotike. Imagjinario i jep një kuptim tjetër muzikës, duke kthyer në një gjuhë joverbale, me aftësi shprehëse dhe konceptuale si gjuha e folur.
Saussure-i dhe semiotika, shkenca që studion shenjat, i sheh në një lidhje natyrale mendimin dhe zërin, ndijimin dhe tingullin.


Kështu studiuesit mund ta rimarrin semiotikën e muzikës ose muzikën si gjuhë joverbale. Procesi krijues ka në bazën e tij imagjinatën njerëzore, e cila luan një rol të madh edhe në artin muzikor dhe është baza për studimin e semiotikës së muzikës.


Jeni në një shteg pionier për studimet muzikore në Shqipëri?


Natyrisht një shteg pionier edhe ky prezantim në Akademinë e Arteve. Por rruga ka nisur në disa shkolla të mesme, në licetë artistik, në një mënyrë tjetër debati. Sot ishte një tentativë për të diskutuar diçka me opinionin publik. Kjo është më mirë se të ulesh e të shkruash me qindra rreshta.


Kur mbaron ky studim?


Studimi vazhdon në Universitetin Ca'Focari. Brenda tri viteve mendoj që ta përfundoj. Kjo është faza empirike e studimit. Aktualisht vazhdoj në Universitetin "Luigj Gurakuqi".
Për njohjen e psikologjisë së artit dhe gjuhëve joverbale, këtë vit do të hapim në Shkodër Masterin e Gjuhëve Joverbale në bashkëpunim me Universitetin Ca' Foscari.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›