E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: Të dëgjohen ndërkombëtarët

Nga Express më 03 tetor 2011 në ora 12:49

Ngecjet në sistemin zgjedhor, defektet, parregullsitë e shumë të tjera u diskutuan të hënën në konferencën e organizuar nga organizata “Demokraci për Zhvillim”, e përkrahur nga Ambasada zvicerane.

Kryetari i Komisionit për Amandamentimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Haki Demolli i ka cekur një varg parregullsish që janë shënuar në procesin zgjedhor në Kosovë, me theks të veçantë në zgjedhjet e fundit, ku sipas tij, këto parregullsi e kanë degraduar tërë procesin zgjedhor.

“Zgjedhjet e fundit në Kosovë janë përcjell me një varg problemesh, një ndër problemet që është paraqitur ka qenë edhe fakti se në disa komuna në disa qendra votimi zgjedhjet janë përsëritur, gjë që ka bërë që zgjedhjet të zgjasin me muaj të tërë, dhe në njëfarë mënyre ka shkaktuar pakënaqësi jo vetëm te pjesëmarrësit e këtyre zgjedhjeve, por të të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Demolli.

Ai më tej ka shtuar se anëtarët e Komisionit kanë identifikuar një varg problemesh, të cilat ai i ka klasifikuar si kategori kushtetuese dhe kategori ligjore. Po ashtu ai e ka nënvizuar edhe problemin e ndëshkimit të keqpërdoruesve të votës së lirë, duke kërkuar që masat e ndëshkimit të jenë edhe më të ashpra ndaj tyre.

Për zgjedhjet në Kosovës ka folur edhe ambasadorja zvicerane në Kosovë, Krystyna Marty Lang, e cila ka thënë se për të pas zgjedhje demokratike dhe të lira, nevojitet bashkëpunim i të gjitha palëve në proces.

“Natyrisht se për të pas një proces të lirë dhe demokratik, duhet bashkëpunim i të gjitha palëve në proces, dhe ne duam të kontribuojmë për një ligj sa më të mirë, në mënyrë që zgjedhjet të jenë sa më të lira dhe demokratike në Kosovë”, ka thënë ajo.

Leon Malazogu nga organizata Demokraci për Zhvillim, ceku disa probleme zgjedhore si dhe përmendi edhe rolin e shoqërisë civile, e cila sipas tij, falë saj e kemi tash një proces të tillë zgjedhor, i cili dallon shumë nga ai i mëparshmi, me theks të veçantë në hapjen e listave zgjedhore, të cilat sipas tij kohë më parë ishin pjesë e manipulimeve të mëdha zgjedhore.

“Arritëm që listat të hapen dhe arritëm që të sjellim kryetar komunash të zgjedhur drejtpërdrejt, pa marrë parasysh se listat e hapura u abuzuan dhe pjesërisht kemi ardhur në përfundim, e disa thonë se duhet t’i heqim për shkak të manipulimit, ne arritëm të ndryshojmë një vlerë”, ka thënë ai.

Malazogu ka kritikuar edhe ndikimin e ndërkombëtareve, të cilët në të shumtën e rasteve po janë edhe faktor vendimmarrës në proceset që po kalon Kosova, duke mos lënë hapësirë për debate të mirëfillta të faktorit vendës për çështje që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve në vend.

Mirëpo, i shpejtë ishte edhe reagimi i ambasadorit të Holandës në Kosovë, i cili tha se është mirë që të dëgjohen nganjëherë ndërkombëtarët për probleme apo zgjidhje që ata propozojnë, duke treguar edhe për përvojën e tij sa ishte pjesë e OSBE-së në Shqipëri.

“Është mirë të dëgjohen ndërkombëtarët nganjëherë. Nga përvoja ime në Shqipëri, ua propozova një sistem zgjedhor atje e që e refuzuan, ndërsa tash Shqipëria e ka humbur statusin e kandidatit për në BE për shkak të këtyre problemeve, e që nuk pritet ta fitojë as këtë vit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar më tej se problemet e vogla, siç është rasti me sprein, numërimin e vota, fotografimin e votave, gjëra këto të cilat duken të vogla, por në procesin e përgjithshëm ndikojnë shumë, ku Shqipëria ra viktimë e tyre. (kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›