Qytetari do të pyetet për ndryshimet kushtetuese
Komisioni për amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës ka lënë të hapura me qëllim disa dilema për ta pyetur qytetarin para se ndryshimet kushtetuese të marrin formën e plotë. Për këtë nga nesër do të fillojë debati nëpër qytetet e mëdha të vendit.
Kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami ka thënë se procesi është në fazën para finales.
Këto komente ai i bëri në tryezën me temën "Progresi i arritur i ndryshimeve të domosdoshme në Kushtetutën e Republikës së Kosovës", e organizuar nga Lidhja e Juristëve të Kosovës në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung.
"Komisioni është i përbërë nga të gjitha partitë, përfshi edhe komunitetet dhe deri më tani kemi pasur 6 punëtori të mëdha, dhjetëra takime, konsulta, kemi angazhuar ekspertë dhe kemi ardhur në fazën gati para finales, sepse ne e kemi një projekt të miratuar të ndryshimeve kushtetuese dhe nesër do të fillojmë debatet publike me qytetarët në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës, ku dëshirojmë ta dëgjojmë edhe zërin e qytetarëve për disa dilema që komisioni me qëllim i ka lënë të hapura në mënyrë që këto dilema dhe këto zgjidhje mos të jenë pronë e partive politike, por të mundohemi ta dëgjojmë edhe zërin e qytetarëve", ka thënë Bajrami.
Një çështje që sipas Bajramit vazhdon të mbetet e diskutueshme, është zëvendësimi i presidentit.
Në këtë rast janë dy propozime: që presidenti të zëvendësohet nga kryeparlamentari ose në rast të mungesës së këtij të fundit, nga nënkryetari i Kuvendit dhe që të ketë një zëvendëspresident, i cili do të zgjedhje bashkërisht me presidentin.
Varianti i dytë, sipas Bajramit, mbështetet nga ndërkombëtarët, por edhe nga një pjesë e spektrit politik në Kosovë.
Ndonëse nikoqir i kësaj tryeze, kryetari i LJK-së Mazllum Baraliu ka munguar për shkak të angazhimeve të reja si rektor i Universitetit të Prizrenit.
Ndërkohë, nënkryetari i LJK-së Bardh Ademaj ka thënë për Kosovapress se anëtarët e LJK-së do të nxjerrin konkluza për punën e mëtejme për ndryshimet kushtetuese.
"Ne gjithherë kemi qenë aktivë, gjithherë do të kemi mjaft diskutime. Nga diskutimet e anëtarëve të Lidhjes së Juristëve do të punojmë edhe konkluza dhe rekomandime për punën e mëtutjeshme rreth zgjedhjes së presidentit", ka thënë Ademaj.
Ai ka theksuar se Lidhja e Juristëve favorizon çdo ndryshim që përputhet me standardet më të avancuara ndërkombëtare.
Ndërkohë nga anëtarë të ndryshëm të LJK-së është konsideruar si tryezë e dështuar për faktin se kanë munguar shumë të ftuar, përderisa edhe vetë kryetari i komisionit, Arsim Bajrami pas referimit të tij është larguar nga tryeza.