Bosët e huaj, që janë debitorë te firmat piramidale
Laureta Rryçi
Administratorët e firmave piramidale përgatitën 13 dosje mbi biznesmenë të huaj për t’u rimarrë paratë e kreditorëve. Pas rreth një dekade vazhdojnë të dalin në dritë dokumente të rëndësishme mbi firmat piramidale. Ndërsa pjesa më e madhe e pasurisë së grumbulluar në atë kohë prej piramidave u fashit mes hiçit, sërish kanë mbetur ca gjurmë. Pas verifikimit të hollësishëm të dokumentacionit të mbetur nëpër fashikujt mbi piramidat, administratorët kanë mundur të hedhin dritë mbi përfundimin e dhjetëra mijëra dollarëve. Shumica prej pasurive rezulton të jenë investuar jashtë vendit, nëpër shtete të ndryshme të botës. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë se çfarë përmbajnë këto dosje dhe cilët janë borxhlinjtë e huaj që u detyrohen firmave piramidale.
Dosjet
Pas grumbullimit të informacionit, administratorët kanë përpiluar dosje të veçanta për secilin debitor. Këto dosje më pas janë dorëzuar në Gjykatën e Tiranës për të marrë një vendim përfundimtar, që i detyron këta debitorë të shlyejnë detyrimet që kanë. Nga 13 dosjet, vetëm në njërën gjykata ka vendosur ta pushojë kërkesën e depozituar nga administratori. Në vendimin e gjykatës shpjegohet se pushimi i çështjes ka ardhur si rezultat i mosprezencës së përfaqësuesit ligjor të administratorit të firmës piramidale “Kamberi”. Dosja i përkiste një debitori italian, që kishte marrë në vitin 1999 një shumë të konsiderueshme hua. Ndërkohë, për të gjitha rastet e tjera gjykata ka gjykuar se dokumentacioni është i plotë dhe debitorët duhet të shlyejnë detyrimet e tyre.
Huat marramendëse
Dritëhijet e piramidave nuk janë shtrirë vetëm brenda territorit të vendit tonë. Ashtu siç thuhej deri dje, milionat e shumta të mbledhura nga kreditorët shqiptarët u investuan në shtete të ndryshme të botës. Dosjet më të fundit provojnë se shtetet në të cilat mendohet se janë investuar janë Greqia, Italia, Hungaria dhe Zvicra. Natyrisht nuk përjashtohen dhe shumë shtete të tjera, për të cilat po punohet nga ana e administratorëve për të gjetur dokumentet e nevojshme. Midis këtyre dosjeve gjen jo vetëm emra konkretë, por edhe firma që mendohet se operojnë suksesshëm në vendet e tyre.
Bosët e huaj, që janë shpallur debitorë të firmave piramidale
Constanzo Antonio Cefferatti, debitor i shoqërisë “SILVA” për shumën 14.796.000 lekë
Adresa: Contrada Difensola 4/h Compomarino, Itali
Firma e huaj “Finangrein” është debitore e shoqërisë “VEFA” për shumën 130.000 USD
HIPPOCRATES HATZLAGGELIDES Hungari, debitor i shoqërisë “VEFA” në shumën 16.150.000 lekë
Adresa: Hungari
Eleni Barba, debitore për shumën 29 211 000 lekë në shoqërinë “Cenaj & CO”
Me adresë në Greqi
Xhankarlo Kapuçeli, debitor për shumën 21.373.469 lekë i shoqërisë “VEFA”
Adresa: Lecce, Itali
Apostol Kavalaros, debitor për shumën prej 200 000 USD i shoqërisë “VEFA”
Adresa: Athinë, Greqi
Nuova Cinzano, debitore për shumën 35.181.870 i shoqërisë “KAMBERI”
Adresa: Itali
Silvano Sirinski, debitor në shumën 42.750.000 lekë i shoqërisë “VEFA"
Firma “Facco” S.P.A debitor për shumën 920.000 000 lireta te shoqëria “VEFA”
Adresa: Itali, Padova
Ciro Cantore debitor për shumën 3.800.000 lekë në shoqërinë “VEFA”
Adresa: Itali
“Continental Grain Com Rice D” debitor në shumën 200.000 USD te shoqëria “VEFA”
Adresa: Gjenevë, Zvicër
Nillova Cizo, debitor në shumën 27.619.200 lekë për shoqërinë “Kamberi”
Adresa: Itali, Verona
Gjykata ka pushuar çështjen
Firma “Stontis” S.A, debitore për shumën 295 920 000 lekë te shoqëria “GJALLICA”
Adresa: Janinë, Greqi
Si lindi “Gjallica”
Shoqëria e tregtare “Gjallica” u themelua në Gjykatën e rrethit Tiranë në dhjetor të vitit 1991 me një kapital prej 100 mijë lekësh të vjetër. Ajo u regjistrua në emër të Shemsies.
Në vitin 1993 me të u bashkuan edhe shoqëritë e Gani Kadrisë dhe Fitim Gërxhalliut, por në letrat zyrtare ortakja e vetme e firmës ishte Shemsie Kadria. Dalëngadalë kjo shoqëri krijoi një kapital prej 332 674 501 dollarësh amerikanë. Për të marrë këto para krerët e firmës hynë në borxh te 69 809 persona. Hetimet e organit të akuzës treguan se kreu i kësaj shoqërie mashtruese ishte Gani Kadria. Për këtë arsye, në 17 shkurt të vitit 1997 ai u mor i pandehur. Në të njëjtën ditë u mor i pandehur edhe miku i tij, Fitim Gërxhalliu. Ndërkohë, Shemsie Kadria ishte larguar nga Shqipëria dhe për të u shpall urdhër-arresti ndërkombëtar.
Bosët e dënuar
Vebi Alimuça - Në mars 2001 Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi 25 vjet, në dhjetor të po të njëjtit vit Gjykata e Apelit jep 20 vjet burg
- Shemsie Kadria - Në janar të vitit 2001, Gjykata e Shkallës së Parë jep 17 vjet burg, qershor 2001 Gjykata e Apelit e lë në fuqi
- Fitim Gerxhalliu - Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë jep 20 vjet burg, në qershor të po atij viti Gjykata e Apelit 11 vjet burg
- Gani Kadria - Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë jep 20 vjet burg, Gjykata e Apelit 10 vjet burg
- Maksude Kadëna - Në shkurt 2001 Gjykata e Shkallës së Parë jep 5 vjet burg
- Bashkim Driza - Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së parë e dënon me 16 vjet burg
- Arben Qepeni - Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 12 vjet burg
- Ferdinand Kamberi - Në muajin nëntor 2002, Gjykata e Shkallës se Parë e dënon me 18 vjet burg
- Mustafa Leka - Në vitin 2002 Gjykata e Shkallës së Parë jep 20 vjet burg
- Lefter Cenaj - Në shkurt 2003, Gjykata e Shkallës së Parë jep 10 vjet
Ligji
Në nenin 5 të Ligjit 8471, dt.08.04.1999 “Për nxjerrjen e detyrimeve debitorëve dhe rikthimin e vlerave pasurore në llogaritë e personave juridikë, jobankarë, që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”, përcaktohet: “Administratori, në përfundim të procesit të identifikimit, merr vendim për personat subjekt të këtij ligji, që shpallen debitorë, për vlerën financiare e pasurore që ata duhen të kthejnë në llogarinë e shoqërisë huamarrëse, për shlyerje të kreditorëve”.
30 Gusht 2008