Kuvendi starton me reformën zgjedhore dhe spiunët
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka mbledhur dje Konferencën e Kryetarëve të grupeve parlamentare. Gjatë kësaj mbledhjeje palët kanë rënë dakord që ditën e hënë të nisë nga puna Kuvendi i Shqipërisë, pas një periudhe njëmujore pushimi. Deputetët kanë rënë dakord që në datën një shtator të nisin punimet e komisioneve parlamentare, ndërsa në datën 8 shtator të zhvillohet seanca e parë parlamentare për sesionin e ri. Kryetarët e grupeve parlamentare kanë rënë dakord dhe për kalendarin e punimeve të Kuvendit. Mësohet se deputetët socialistë kanë vënë theksin në domosdoshmërinë e realizimit brenda muajit shtator të reformës zgjedhore, e cila përfshin ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ndërsa deputetët demokratë kanë përkrahur idenë e socialistëve për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe kanë kërkuar mbështetje prej tyre për të miratuar ligjin për hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist, si dhe miratimin e ligjit për Prokurorinë. “Miratimi i ligjit për hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe Kodi i ri Zgjedhor janë dy prioritetet e punës së Kuvendit me fillimin e sesionit kuvendor më 1 shtator”, - u shpreh pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që opozita të japë votën e saj për reformat më të rëndësishme në vend. Patozi vuri theksin veçanërisht në miratimin e reformës zgjedhore, të ligjit të spiunëve, si dhe të ligjit për Prokurorinë. “Shpresojmë që të paktën në dy javët e para të muajit shtator të kalojmë bashkërisht me opozitën ligjin e ashtuquajtur të “dosjeve”. Ndërsa përsa i takon prioritetit tjetër, Kodit Zgjedhor, kjo është një punë në proces, e cila nuk ka ndalur edhe gjatë muajit gusht, por ai që do ta thotë fjalën e tij do të jetë Komisioni i Posaçëm, i cili do të nisë menjëherë axhendën e tij me miratimin e ligjit të ri zgjedhor. Ne kërkojmë mbështetjen e opozitës dhe për ligjin për Prokurorinë. Kemi pasur mundësinë që disa prej reforma të mëdha t’i miratojmë me votat tona, por ne duam bashkëpunimin dhe konsensusin e opozitës”, - është shprehur Patozi. Ai ka nënvizuar se PD-ja do ta miratojë me votat e saj ligjin për spiunët në rast se opozita nuk jep mbështetje. “Ne kemi prirjen absolute që ky ligj të shkojë në Parlament me konsensusin e opozitës. Ne duhet të shpëtojmë nga ky makth. Kjo bëhet nëse të dyja palët bien dakord. Nuk dua të besoj se opozita do të jetë refraktare në ato kolonat që ajo ka ngritur si oponencë në mosmiratimin e ligjit”, - është shprehur Patozi.
30 Gusht 2008