Bosh: Jo celularë për të fotografuar votën
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë tha se me këto zgjedhje s'duhet të ketë justifikime
TIRANË - Ndryshe nga ambasadori Uidhers, ai i OSBE-së, Robert Bosch, në fjalën e tij të mbajtur në këtë takim, ka qenë më diplomatik, por jo më pak kërkues për atë çka duhet të arrijë Shqipëria në zgjedhjet e 28 qershorit.
Sipas tij, e diela e 28 qershorit duhet të jetë një festival i demokracisë, ku shqiptarët të shprehin në mënyrë të lirë dhe të pandikuar vullnetin e tyre politik, dhe ku partitë politike të respektojnë verdiktin e popullit.
Në një fjalë të mbushur me mesazhe për aktorët kryesorë të këtyre zgjedhjeve, ambasadori i OSBE-së është shprehur se këto zgjedhje duhet të shënojnë startin e një kapitulli të ri të demokracisë shqiptare.
Për të arritur këtë, ai ka kërkuar nga forcat politike dhe aktorët e tjerë në këtë proces që të respektojnë rregullat e lojës. "Le të jenë zgjedhjet e 2009-ës zgjedhjet që do të hapin një kapitull të ri në zhvillimin demokratik të këtij vendi.
Le të mos kemi më histori votimesh familjare apo episode, ku votuesit 'instruktohen' që të përdorin kamera celularësh për të regjistruar votën e tyre, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar.
Do të inkurajoja gjithë qytetarët që ta shijojnë të dielën, sepse ditët e zgjedhjeve - si në shumicën e demokracive - shihen si 'festivale të demokracisë', që do të thotë: hidheni votën tuaj! Le të mos harrojmë se zgjedhjet bëhen për popullin dhe se ato nuk janë pronë personale e partive politike", - tha Bosch në fjalën e tij.
Një element themelor për arritjen e këtij qëllimi, ka theksuar diplomati i OSBE-së, është padyshim krijimi i një klime të përshtatshme në mënyrë që të gjithë shqiptarët të ndihen të sigurt se, të dielën, ata do të jenë dëshmitarë të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
"E pra, le të mos ketë më probleme, të mos ketë më justifikime e as shfajësime për dështimet e së kaluarës. Kësaj radhe, këto zgjedhje do të duhet të funksionojnë. Kjo do të thotë që dialogu publik të mbetet i qetë dhe i arsyeshëm", - tha Bosch.